Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojnë “shumë shpejt” një tjetër bisedë telefonike, ka njoftuar Kremlini, pas takimit që Trump pati mbrëmë në Florida me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dy liderët tashmë kanë zhvilluar një telefonatë, të cilën Trump e ka cilësuar si “produktive”, dhe se një bisedë e re pritet pas diskutimeve të presidentit amerikan me palën ukrainase.
Sipas Kremlinit, Moska ende nuk është në dijeni të rezultateve konkrete të negociatave mes Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, ndërsa nuk ka asnjë plan për një telefonatë mes Zelenskyyt dhe Putinit.
I pyetur nëse Kremlini pajtohet me vlerësimin e Trump se paqja është më afër dhe bisedimet po hyjnë në fazën përfundimtare, Peskov u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”
Megjithatë, Kremlini ka përsëritur kërkesat e tij që Ukraina të tërheqë trupat nga rajoni i Donbasit, si kusht për ndalimin e luftimeve. / abcnews.al /

