Trump çon në gjyq thirrjen e kongresit për financat familjare

schedule22:30 - 22 Prill, 2019

schedule 22:30 - 22 Prill, 2019

Donald Trump ka vendosur të padisë nismat hetimore të demokratëve kundër figurës së tij. Presidenti amerikan akuzon demokratët se kanë nisur një betejë politike ndaj tij, duke përfituar nga shumica që gëzojnë në Kongres.

Presidenti amerikan Donald Trump i ka cilësuar të pamundura shanset e Kongresit për ta inkriminuar atë.

Vetëm krime dhe shkelje të rënda mund të çojnë drejt inkriminimit. Unë nuk kam bërë as krime as shkelje, ndaj nuk mund të më akuzojë askush”, ka deklaruar Trump të hënën në profilin e tij në Twitter.

Po të hënën presidenti bëri një padi kundër një thirrjeje të shpallur nga demokratët në Kongresin amerikan, drejtuar atij për të dhënë sqarime mbi bizneset dhe financat e tij familjare.

Padia, e konsideruar lëvizja e parë në betejën ligjore me demokratët që ka gjasa të përshkallëzohet, i akuzon rivalët e presidentit se kanë nisur një luftë politike ndaj tij dhe thirrjet janë arma e zgjedhur.

Thirrja e lëshuar nga Kongresi kërkon dokumentet e kompanive të Trump për një periudhë 8-vjeçare, për të verifikuar nëse ai ka shlyer detyrimet tatimore, apo nëse ka kryer mashtrime financiare.

Padia është përpjekja e parë e ekipit ligjor të Trump për t’iu përgjigjur proceseve të shumta hetimore të nisura nga komisionet parlamentare të drejtuara nga demokratët ndaj kreut të shtetit dhe pasurive të tij. Avokatët e tij kanë bërë të qartë se do t’i rezistojnë këtyre përpjekjeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!