Trump bisedë telefonike me presidentin e Palestinës dhe Netanyahu-n

schedule19:30 - 5 Dhjetor, 2017

schedule 19:30 - 5 Dhjetor, 2017

Presidenti amerikan, Donald Trump, me anë të disa telefonatave ka informuar Liderin e Palestinës, kryeministrin e Izraelit dhe Mbretin e Jordanisë se do të zhvendosë ambasadën e SHBA nga Tel Avivi në Jeruzalem. Presidenti i Palestinës i është përgjigjur se një vendim i tillë minon procesin e paqes.

Në udhëtimin e tij të parë jashtë Shteteve të Bashkuara pasi mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, presidenti Donald Trump premtoi në Lindjen e Mesme se do të sjellë paqe mes Izraelit dhe Palestinës. Por me veprimet e tij duket se po nxit më shumë konfliktin mes dy vendeve. Uashingtoni shkaktoi polemika të shumta ndërsa lajmëroi se do të zhvendosë ambasadën e Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jeruzalem. Kjo lëvizje nënkupton se Amerika njeh zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Për këtë vendim, Trump ka informuar personalisht liderin e Palestinës Abu Mazen me anë të një bisede telefonike.

Nga ana tjetër presidenti palestinez ka paralajmëruar presidentin amerikan “për rreziqet që sjell një vendim i tillë lidhur me procesin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe në botë”. Abu Mazen ka theksuar gjithashtu se “nuk mund të ketë asnjë shtet të Palestinës pa Jeruzalemin Perëndimor si kryeqytet, në përputhje me rezoltat dhe legjitimitetin ndërkombëtar dhe iniciativën arabe për paqe”. “Presidenti Abu Mazen do të vazhdojë kontaktet e tij me liderët botërore për të ndaluar një veprimet e papranueshme”, thekson presidenca e Palestinës.
Gjithashtu presidenti amerikan, ka zhvilluar telefonata edhe me kryeministrin e Izraelit, Banjamin Netanjahu dhe mbretin Abdullah të Jordanisë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë informoi liderët për zhvendosjen e ambsadës.

Reagimi i presidenti turk Rexhep Tajip Erdoan ishte i ashpër. Ai theksoi se shpallja e Jeruzalimt si kryeqytet izraelit dhe njohja e tij përfaqëson një vijë të kuqe për muslimanët dhe mund të shkaktojë prishje të marrëdhënieve diplomatike të Turqisë me Izraelin.

Lidhur me komentet e Erdoan është prononcuar edhe qeveria e Izraelit. “Jeruzalemi ka qenë kryeqyteti i popullit hebre që prej tre mijë vjetësh dhe kryeqyteti i Izraelit prej 70 vjetësh, pavarësisht nëse është njohur nga Erdoan apo jo”, u shpreh një zëdhënës i ministrsë së jashtëme të Tel Avivit. Përtej shqetësimeve për një revoltë të mundshme nga palestinezët, autoritetet e Izraelit janë shprehur të gatshëm të përballojnë një zhvillim të tillë. Ndërkohë, zhvendosja e ambasadës amerikane në Jeruzalem është kritikuar edhe nga presidenti i Francës, Emanuel Makron. Gjatë një telefonate, kreu i Pallatit Elize i ka rikujtuar presidentit Trump se “çështja e statusit të Jeruzalemit duhet të zgjidhet në kuadër të negociatave për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!