Trump bisedë me kryeministrin australian për të cënuar Robert Myler

schedule18:32 - 1 Tetor, 2019

schedule 18:32 - 1 Tetor, 2019

Presidenti Donald Trump ka kërkuar ndihmën e liderëve ndërkombëtarë për të diskretituar kundërshtarët e brendshëm politikë.

Përveç bisedës me homologun ukrainas për të përbaltur Xho Bajden, Trump ka zhvilluar një tjetër bisedë me kryeministrin australian, të cilit i ka kërkuar ndihmë për të cënuar figurën e hetuesit të posaçëm Robert Myler.

Presidenti amerikan Donald Trump u ka telefonuar edhe liderëve të tjerë botërorë, për të kërkuar të dhëna që mund të kompromentonin kundërshtarët e tij politikë e jo vetëm.

Përveç se me presidentin ukrainas, Trump ka zhvilluar një bisedë të ngjashme telefonike me kryeministrin e Australisë, Skot Morrison, të cilit i ka kërkuar ndihmë për të diskretituar figurën e hetuesit të posaçëm të çështjes “Rasha-gejt”, Robert Myler.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë australianë, të cilët kanë deklaruar për mediat ndërkombëtare se kryeministri Morrison pranoi ta ndihmonte shefin e Shtëpisë së Bardhë.

Lajmi vjen në një kohë kur Trump po përballet me proçedurat e inkriminimit për telefonatën e ngjashme të bërë me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenskij.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara akuzohet se i ka ushtruar presion liderit ukrainas që të hetonte rivalin e tij të brendshëm politik, Xho Bajden.

Telefonata nxiti demokratët të nisnin procedurat e inkriminimit dhe ditën e hënë avokatit të presidentit, Rudi Xhuliani iu dërgua një fletëthirrje.

Ndërkohë, “Uashington Post” ka raportuar se prokurori i përgjithshëm amerikan Uilliam Berr ka zhvilluar takime private me zyrtarë të shërbimeve sekrete italiane dhe britanike, për t’u kërkuar asistencë në përbaltjen e hetimit të Robert Myler.

Një burim në kushte anonimati tha për gazetën se zoti Berr vizitoi Italinë javën e kaluar dhe jo për herë të parë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!