Trump apo Biden? Në SHBA po votohet për presidentin e 46-të në histori, ndërsa “ABC” po vijon maratonën e transmetimit LIVE. Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo i ftuar në studio u shpreh se këto janë zgjedhje të rëndësishme në SHBA për dy arsye.
“Zgjedhjet në SHBA gjithmonë kanë qenë të rëndësishme, pasi zgjidhet presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë dhe që ka një impakt të jashtëzakonshëm. Rëndësia është shumë e madhe. Mendoj se rëndësia e këtyre zgjedhjeve qëndron për shkak të covid-it dhe rrethanave ndërkombëtare” tha ai.
Por cili është raporti i angazhimit të administratës së Trump në Ballkan? “Administrata aktuale amerikane në raport me të tjerat, veçanërisht Clinton dhe Bushit është më pak e angazhuar në Ballkan, kjo është shumë e dukshme. Zhvendosja e vëmendjes nga një rajon që nuk ka konflikte të hapura është e natyrshme.
Kjo administratë nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur Ballkanit. U fol për një politikë të re amerikane për Ballkanin, u caktua Palmer, por një muaj më vonë u caktua Grenell për dialogun Kosovë-Serbi. Kjo mbivendosje e la në hije zotin Palmer, pasi mori përparësi arritja e një marrëveshje. Raporti ka pasur synime pragmatiste” tha ai.
Edith Harxhi, ish-zëvendës ministrja e Punëve të Jashtme, mbështetëse e Donald Trump u shpreh se zgjedhjet janë më të rëndësishmet e 30 viteve të fundit në SHBA. “Amerikanët po kalojnë një moment delikat, ka një përplasje të madhe ideologjike” tha ajo./ db/Abcnews.al