Trukimet në Kupën e Shqipërisë, në FSHF janë të alarmuar

schedule08:45 - 31 Tetor, 2019

schedule 08:45 - 31 Tetor, 2019

Trukimet është e vështirë të shmangen plotësisht. Ndeshje të ndryshme në Kupën e Shqipërisë dyshohen si të trukuara. Ka ndodhur edhe vjet, madje Komisioni i Etikës edhe ka marrë në pyetje drejtues klubesh, dhe po vazhdon të përsëritet.

Turi i parë është një mundësi për të arkëtuar shuma të vogla parash, por nga ana tjetër ata që mundohen të përfitojnë nuk i shmangen dot “Sportradar”-it, që vëzhgon shumat e luajtura në baste dhe si janë luhatur koeficientet.

Në ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë ka pasur ndeshje të ndryshme për ta cilat në FSHF kanë ardhur raportet nga UEFA. Sigurisht i takon qeverisë së futbollit shqiptar, përmes Komisionit të Etikës ta luftojë këtë fenomen. Nuk dihet nëse materialet janë dorëzuar edhe në Prokurori. Zakonisht çështje të këtij karakteri janë mbyllur shpejt për mungesë provash.

Gjithsesi FSHF në njëfarë mënyrë është munduar të ushtrojë presion te klubet. ABC News mëson se para dy javësh ishte programuar një takim i klubeve me Komisionin e Etikës. Sigurisht asgjë nuk është bërë publike, sikurse ndodh zakonisht.

Ndërkohë më parë ka ndodhur edhe diçka tjetër. Sipas asaj që shkruan gazeta “Panorama Sport”, delegatët e ndeshjeve, në takimet e kthimit në Kupë kanë lexuar një material që paralajmëron lojtarët, stafin dhe drejtuesit e klubeve, për rreziqet që sjell paracaktimi i rezultateve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!