Pas publikimit të lojtarëve të thirrur nga tekniku Sylvinho për përballjet e radhës së Kombëtares shqiptare, ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe të vlefshme për fazën eleminatore të Kampionatit evropan të futbollit, Euro 2024, duket se trajneri braziliani ka marrë një lajm “të hidhur”.
“Katalizatori” i mesfushës së “legjionarëve”, Klaus Gjasula nuk do të jetë i gatshëm për sfidat e qershorit, teksa FSHF ka bërë me dije se futbollisti ka pësuar një dëmtim dhe i është nënshtruar ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore, ku të pranishëm ishin dhe stafi mjekësor i Kombëtares.
Në përfundim të ekzaminimeve stafi mjekësor ka konkluduar se Gjasula nuk mund të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e Shqipërisë dhe lojtari do të nisë ndërkohë fazën e rikuperimit pranë klubit të Darmstad, ku vetëm 1 javë më parë siguroi ngjitjen në mënyrë automatike në elitën e futbollit gjerman, Bundesliga. /i.m /abcnews.al