Tronditëse, një nga themeluesit e kishave ungjillore dyshohet se ka abuzuar seksualisht me dhjetëra besimtarë

schedule11:11 - 8 Janar, 2024

schedule 11:11 - 8 Janar, 2024

BBC ka bërë publik dëshmi të shumta, të cilat flasin për abuzim dhe tortura nga themeluesi i një prej kishave ungjillore të krishtera më të mëdha në botë. Dhjetëra ish anëtarë të Kishës së Sinagogës së të gjitha kombeve pretendojnë se TB Joshua i ka abuzuar seksualisht dhe i ka torturuar.

Akuzat për abuzim në një kompleks të fshehtë të Lagos përfshijnë një periudhë prej 20 vitesh.

TB Joshua, i cili vdiq në vitin 2021, ishte një predikues i suksesshëm, i cili kishte ndjekës të shumtë global. Gjetjet e BBC-së gjatë një hetimi dy-vjeçar përfshijnë dhjetëra rrëfime të dëshmitarëve okularë të dhunës fizike ose torturave të kryera nga Joshua, duke përfshirë rastet e abuzimit të fëmijëve dhe njerëzve që fshikulloheshin dhe lidheshin me zinxhirë.

Po ashtu ka akuza të shumta për aborte të detyruara brenda kishës pas përdhunimeve të supozuara nga Joshua, ku një grua deklaron se ka abortuar 5 herë. Një nga viktimat, një grua britanike, e quajtur Rae, ishte 21 vjeç kur hoqi dorë nga shkolla dhe iu përkushtua kishës, raporton abcnews.al.

Ajo i kaloi 12 vitet e ardhshme si një nga të ashtuquajturit “dishepuj” të Joshuas brenda kompleksit të tij si labirint në Lagos.

“Të gjithë menduam se ishim në parajsë, por ishim në ferr dhe në ferr ndodhin gjëra të tmerrshme”, tha ajo për BBC.

Rae thotë se ajo u sulmua seksualisht nga Joshua dhe qëndroi e izoluar për dy vite. Më shumë se 25 ish “dishepuj” folën për BBC,  nga Britania e Madhe, Nigeria, SHBA, Afrika e Jugut, Gana, Namibia dhe Gjermania  duke dhënë dëshmi për përvojat e tyre brenda kishës, me përvojat më të fundit në 2019.

Shumë viktima ishin adoleshentë kur u bashkuan për herë të parë. Në disa nga rastet britanike, transporti i tyre për në Lagos u pagua nga Joshua, në bashkërendim me kishat e tjera në Mbretërinë e Bashkuar.

Rae dhe shumë të intervistuar të tjerë krahasuan përvojat e tyre me të qenit në një kult. Jessica Kaimu, nga Namibia, thotë se sprova e saj zgjati më shumë se pesë vjet. Ajo thotë se ishte 17 vjeç kur Joshua e përdhunoi për herë të parë, raporton abcnews.al.

Të intervistuar të tjerë thonë se ata u zhveshën dhe u goditën me kabllo elektrike dhe kamxhik dhe në mënyrë rutinore iu mohua gjumi. Me vdekjen e tij në qershor 2021, TB Joshua u përshëndet si një nga pastorët më me ndikim në historinë afrikane.

Nga një person i varfër, ai ndërtoi një perandori ungjillore që numëronte dhjetëra liderë politikë, të famshëm dhe futbollistë ndërkombëtarë midis bashkëpunëtorëve të tij.

Megjithatë, ai ka pasur edhe polemika gjatë jetës së tij, kur një bujtinë për pelegrinët e kishës u shemb në vitin 2014, duke vrarë të paktën 116 njerëz.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!