Gjashtë motrat e Hamide Magashit, e cila u vra të mërkurën para klinikës së Gjinekologjisë ku po priste ta sillte në jetë djalin e saj, po qëndrojnë me frikë në shtëpinë e prindërve të tyre në fshatin Llugaxhi të Lipjanit sepse thonë se ish-burri i Hamides, Sokol Halili, i cili ndodhet në arrati, i ka kërcënuar se do t’i gjuajë tri bomba në shtëpinë e tyre. Jetën e rëndë të të ndjerës, e ka rrëfyer për Gazetën Express motra e saj, Burbuqe Magashi.
Hamidja kishte qenë e martuar për rreth tre muaj. Por, 35-vjeçares jeta nuk i ofroi “muaj të mjaltit”, përkundrazi ajo ndryshoi totalisht pas martesës. Ish-burri dyshohet se e ndali nga puna ku punoi rreth 15 vite dhe e izoloi aq shumë saqë e ndjera kishte tentuar edhe vetëvrasjen.
Familja kërkon arrestimin e dorasit dhe burgim të përjetshëm për të.
Gruaja 35-vjeçare kishte për të sjellur në jetë sot fëmijën e saj të parë. Por, pak orë para se të bëhej nënë, ajo u vra nga ish-burri i saj i cili dyshohet se vazhdimisht kishte maltretuar. I dyshuari ndodhet në arrati dhe motrat e viktimës kanë frikë se ai do ta vras edhe motrën e vogël të tyre.
“Ishalla pshtojmë me mend. Motra me hangër dhe 35 vjet shumë e vështirë. Po kqyrim shteti çka bën tash. Mbrëmë s’kena guxu me flejt, policia janë kanë te dera, por nashta na vranë ai edhe motrën e vogël se u mbush në motrën e vogël, se motra e vogël e ka ndalë motrën Hamide në shtëpi. Se ai ka pas qef me mbajtë me dhunë motrën në shtëpi. Motra ka ndejt e martuar 3 muaj”, tha motra e së ndjerës për Gazetën Express.
Burbuqe Magashi deklaron se ish-burri i motrës së saj që u vra mbrëmë, i ka kërcënuar se do t’i gjuajë tri bomba në shtëpinë e tyre në Llugaxhi të Lipjanit.
“Ai u sillë nëpër sokak, edhe ne u frikësojshim se thojke ka me jua gjuajt 3 bomba dhe kom me ja çu shtëpinë nockout. Thojke Shukrinë me burrë kam me mbytë edhe djalin tem”.
“Ish-burri e ndali nga puna Hamide Magashin”
Burbuqe Magashi rrëfeu se motra e saj tashmë e ndjerë Hamidja ka qenë gjithmonë e mavijosur për shkak se ish-burri ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj saj. Madje thotë se i njëjti e ka ndalur edhe nga puna dhe të njëjtën e ka mbajtur të izoluar.
“Motra ka punu në komunën e Ferizajt, kur ka qenë e martuar e ka lënë me punu vetëm 1 muaj dhe ka shku u rrokë me ata të komunës dhe e ka ndalë prej punës. Maltretim të madh ka pas. Burri i saj u rrokë me zyrtarë të komunës dhe ja ka ndalë punën….Ka ardhe përmes me qykë të alltisë krejt pleh, këmbët i ka pas krejt vreda. Me krah, me krejt ka qenë pleh….Ajo qaq stres që ka pas 1 muaj s’ka mujt me marrë në kontroll vetën, rrike veç në heshtje. Por e kemi marrë i kemi folë, u përmirësu motra….I ka thanë kur të lindi, fëmijën ta dha. Ai e mbyti motrën dhe evladin e vetë”, rrëfehet Burbuqja për Gazetën Express.
Për shkak të maltretimit, Hamidja kishte tentuar ta mbyste vetën
Burbuqe Magashi rrëfeu se motra e saj e ndjerë kishte tentuar të kërcentë nga kati i dytë i shtëpisë së ish-burrit për shkak të dhunës dhe maltretimeve.
“Kjo u detyru me ra prej katit të dytë me mbytë vetën. Qaq që ka pas maltretim prej krejt familjes së tyre, e izoluar ka qenë, s’e kanë lanë me dalë në oborr. I kanë thënë derisa të lind 1 vit e gjysmë s’ki nevojë me shku te motrat në Llugaxhi… Ka nis me ra nga kati i dytë, qaq maltretim që i kanë bë sepse e kanë izolu. Në banjo kur ka shku, i ka shku prapa vjehrra e saj, e ka kqyrë mos e ka telefonin, mos po fol me neve në telefon”, u shpreh ajo.
Hamidën e vrau ish-burri teksa kishte dalë me një shoqe për të blerë bukë
Motra e Hamidës gjatë bisedës për Gazetën Express tha se 35-vjeçarja u vra kur kishte dalë nga dhoma e spitalit për të blerë bukë.
“Dje në mëngjes më ka thirrë më ka thënë motër nesër hy në operacion, i kam thënë ishalla veç me sukses. Ne kemi folë me të, edhe motra ka folë me të në orën 16:00, i ka thënë mirë jam mos hajdeni sonte por nesër. Na i kemi thanë ani. Kur i kam pa lajmet, kur e kanë qit lajmin që u mbyt 35-vjeçarja nga ish-bashkëshorti. Më ka shku mendja te motra jem dhe e kam ditë që motra jem është ajo. Ajo u shku me ble diçka, ai e ka ruajt dhe e ka zënë. I ka ardhë vjehrra e vetë, motra e vet në spital, pa dijeninë e policisë ja kanë pru teshat e fëmijës aty. Ata s’kanë pas të drejtë hiç me pa atë. E ka ruajt, kjo u kanë brenda më një shoqe kanë dalë me ble bukë, ajo shoqja u kanë e para tu ecë, kjo përmas, atë përmas e ka rrokë me 4-5 plumba mas kokës dhe e ka mbytë me armë shurdhuese”, rrëfehet ajo.
Hamidja i kishte thënë burrit se do t’ia dorëzonte porsa ta sillte në jetë
Tutje, Burbuqja thotë se Hamidja ka qajtë vazhdimisht se e ka ditë që fëmijën ka për t’ia dorëzuar ish-burrit.
“Motrën time Hamide Magashi e ka mbytë bashkëshorti i vet dje në spital. Ka qenë e martuar 3 muaj, ka pas dhunë në familje, jemi shku e kemi marrë krejt motrat. Ka thanë oj motër hajde merrnëm se pom rreh, me revolë po më mëshon në kokë. Ka thanë bëma zgjidhjen, thirrje një djalë të axhës të ma bën zgjidhjen. E kemi thirrë, na ka ba zgjidhjen, u shku e ka marrë e ka pru këtu, u kanë në mes të policisë dhe Entit Social, krejt këto sene i kanë pas policia. E ka mbajtë shtatzaninë te baba, ne kemi 7 motra nuk kemi prindër hiç, axha na ka vdekë. E kemi vetëm një djalë të axhës…Ka shku në spital, jemi shku e kemi kqyrë, pardje e kemi vizitu kemi nejt deri në orën katër, veç ka qajtë, u mërzitke. Thojke po e lindi fëmijën por nuk e shoh më, nuk e qes ne prehër. Na i thojshim hajt motra jonë se s’je vetëm ti, krejtve ju ndodhin këto sende.Kemi nejt me to, e kemi hyp në katin e dytë”, u shpreh ajo.
35-vjeçaren e larguan motrat nga ish-shtëpia e burrit, atë ditë policia ia kishte gjetur një revole atij
Burbuqja, motra e Hamides tha se motrën e larguan nga shtëpia e burrit sepse maltretohej vazhdimisht nga ai.
“E kanë marrë policia prej shtëpisë së babës kur e kemi ndalë motrën sepse është maltretu shumë, ka nejt burri në burg vetëm 24 orë. Jemi detyru me ndalë motrën.Ata janë dalë në serra në rastin e fundit, motra e ka thirrë motrën e vogël i ka thënë hajde merrnëm se se unë du me vdekë, bëma zgjidhjen. Krejt motrat e kemi marrë me djalin e axhës së babës, e kemi sjellë në shtëpi. Atë ditë kur e kanë arrestu policia, ja kanë gjetë revolën në veturë. Motra ka thënë se i kanë thënë vazhdimisht unë të vraj, ka thënë unë i kam pesë veta që Llugaxhinë e rrotullojë. Motra ka thënë nëna e tij e ka shti me ushtru dhunë ndaj saj”, u shpreh ajo.
Motra e Hamides tha se në momentin kur Hamidja ka pranu me u martu me Sokol Halilin “Zoti ia ka marrë mendët”.
“Një shoqe e saj e ka njoftu me këtë djalin. Por ne e kemi pa në fillim, por motrës ja mori Zoti mendët, nuk e di si e mori atë burrin”.
Për dorasin ajo kërkoi burgim të përjetshëm.
Vrasja e gruas 35-vjeçe shtatzënë, dyshohet se ndodhi dje pranë klinikës së Gjinkelogjisë në Prishtinë rreth orës 18:00.
Dorasi ndodhet ende në arrati, ndërsa i njëjti është emër i njohur për organet e rendit.
E ndjera kishte urdhër-mbrojtjeje për 6 muaj, ndërsa i dyshuari kishte aktakuzë për kanosje.
Policia kërkon ndihmë për arrestimin e Sokol Halilit.