Trombozat në venat e thella, shkak për dëmet në organe

schedule15:14 - 16 Shtator, 2021

schedule 15:14 - 16 Shtator, 2021

Nëse kryeni një punë që iu detyron të qendroni 4 deri në 5 orë ulur, keni kryer ndonjë operacion apo një anëtar i familjes më herët ka pësuar trombozë bëni kujdes pasi mund të prekeni nga mpiksja e gjakut.

Kirurgu vaskular në spitalin “Hygeia” në Tiranë, Bledar Hodo tregon se më të predispozuar janë meshkujt mbi 45 vjeç dhe personat mbi 65 vjeç.

Në  80% të rasteve mpiksja e gjakut ndodh për arsye genetike.

“Pacientët mbi 65 vjeç janë më të predispozuar për të formuar trombozë sepse mosha dhe sëmundjet e tjera që mund të kenë ndikojnë. Përveç gjenetikës, obeziteti, shtatzënia, sëmundje të tjera janë shkaktarë. Po ashtu edhe disa profesione,” thotë ai.

Mpiksja e gjakut mund të ndodhë në pjesë të ndryshme të trupit, por sipas kardiokirurgut Hodo situata bëhet më emergjente kur ndodh në venat e thella.

“Nëse kjo trombozë ndodh mbi gjurin situata është më problematike. Këmba fryhet shumë më tepër, ka dhimbje më të mëdha dhe mund të marrë një ngjyrë të errët,” shpjegon mjeku.

Personave që vuajnë nga sëmundje të rënda apo kanë histori të trombozave në familje  kirurgu vaskular iu këshillon të konsultohen me mjekun para se të marrin vaksinën anti-Covid.

“I këshilloj ta kryejnë vaksinën, por kanë një histori familjare është mirë të konsultohen me mjekun,” thekson ai.

Atyre që kanë kaluar koronavirusin mjeku iu këshillon  të bëjnë kujdes me mënyrën e të ushqyerit, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të shtojnë aktivitetin fizik me qëllim shmangien e rrezikut për trombozë. /abcnews.al