Trofeu më i ri i futbollit/ FIFA prezanton kupën e Botërorit për Klube të vitit 2025, një krijim “inovativ por me rrënjët në histori”

schedule19:16 - 15 Nëntor, 2024

schedule 19:16 - 15 Nëntor, 2024

“Inovativ, por me rrënjë në histori. Revolucionar dhe global”.

Është ky trofeu më i ri i prezantuar nga FIFA dhe që do të kurorëzojë kampionët e Botërorit për Klube që ka ndryshuar format.

I dizenjuar dhe krijuar nga kompania prestigjoze “Tiffany”, trofeu është I gjithi në ar.

Ai kujton “Disqet e Artë” të transportuar në hapësirë nga misioni i parë i viteve 70’ nga NASA “Voyager”.

Po ashtu, me një qasje futuriste, ky trofe mund të ndryshojë formë, duke u kthyer në unaza të ngjashme të hartave të para astronomike.

Me krenari, FIFA e zbuloi atë, duke shprehur edhe një herë sigurinë se formati i ri i Botërorit për Klube do të jetë një spektakël i vërtetë.

Për herë të parë në histori, turneu që do të zhvillohet verën e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të luhet me 32 skuadra që do të përfaqësojnë të gjithë kontinentet.

Por përtej entuaziazmit të qeverisë botërore të futbollit, ky turne vazhdon të kritikohet sidomos nga shoqatat e futbollistëve profesionistë.

Sipas tyre, vendimi i FIFA ishte i pakonsultuar me aktorët më të rëndësishëm, si lojtarët dhe trajnerët.

Nën akuzë është fakti, që ky kompeticion ka ngjeshur kalendarin futbollistik, duke e bërë sfilitës deri në kufijtë e të pamundurës për futbollistët. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!