Mbrëmjen e sotme të gjithë prozhektorët drejtohen nga Stambolli. Në “Besiktas Park” do të luhet finalja e parë e këtij edicioni në Kupat e Europës.
Aston Villa dhe Freiburg do të diskutojnë trofeun e Europa League, në një sfidë ku përballen dy botë të ndryshme.
Anglezët janë favoritë të mëdhenj, ndërsa gjermanët, një
përrallë romantike e një skuadre që nuk ka fituar kurrë asgjë dhe e gjen veten nëntëdhjetë minuta larg triumfit.
Faktori kyç në këtë finale mund të jetë Unai Emery. Tekniku spanjoll I “Villans” është “Mbreti I Europa League”, pasi e ka fituar këtë trofe katër herë në pesë finale të luajtura. Rekordi i përgjithshëm i Emery në garat evropiane është gjithashtu marramendës: 123 fitore nga 209 ndeshje, me 43 barazime dhe 43 humbje. Këto shifra janë një ogur i mirë për Aston Villan, e cila po kërkon trofeun e saj të parë në 30 vjet, që pas Kupën e Ligës Angleze, të fituar në1996.
Në anën tjetër është debutuesi Julian Schuster, që drejton Freiburgun, i cili ka vetëm disa kampionate të divizionit të dytë në karrierën e tij.
Për gjermanët, të cilët nuk kishin kaluar kurrë raundin e 16-të para këtij viti, kjo është finalja e tyre e parë evropiane në histori.
Gjermanët avancuan nga faza e grupeve në vendin e shtatë, të mbështetur nga mbrojtja e dytë më e mirë në fazën e parë. Megjithatë, në fazat eliminatore, skuadra u bë më argëtuese, duke pësuar më shumë, por edhe duke shënuar me shumicë.
Nga ana tjetër, Aston Villa dominoi fazën e ligës, duke përfunduar në vendin e dytë me shtatë fitore dhe vetëm një humbje. Nga playoff e tutje, modeli u përsërit, duke kulmuar me një rikthim të jashtëzakonshëm në gjysmëfinale kundër Nottingham Forest
Finalja e Stambollit gjithsesi mbetet një rebus, pasi kjo do të jetë përballja e parë në histori mes Aston Villa dhe Freiburg.


