Ky kundërshtar e kishte mundur këtë vit. Aleksandr Bublik ishte ndër tenistët fare të paktë që ia kishte dalë me Janik Sinerin në 2025, bashkë me një farë Karlos Alkaraz, por dueli mes tyre në US Open nuk pati histori.
Numri 1 botës mbylli gjithçka në vetëm një orë e 21 minuta, diçka që mund të cilësohet “një tren ekspres” në turnetë Grand Slem, në të cilët duhet të fitosh 3 sete për t’u kualifikuar.
Rezultati ishte 3-0, dhe setet identike: 6-1, 6-1 e 6-1.
Bublik nuk kishte humbur asnjë herë shërbimin e tij në këtë turne, por ndaj Sinerit ndodh që nuk ke shpëtim.
Ky ishte padyshim versioni më I mirë I italianit, që synon të fitojë Grand Slemin e tretë këtë vit, pasi më parë ia doli në Australian Open dhe në Uimbëlldon.
E vetmja disfatë e rëndësishme, ajo në finalen e “Rolan Garosit” në Paris, në një përmbysje epike ndaj spanjollit Alkaraz.
Paraqitja në të tetat e finaleve në Arenën “Arthër Ejsh” në Nju Jork ishte një konfirmim se 24-vjeçari është kthyer në formë shumë të mirë, pasi u tërhoq nga finalja në Sinsinati, po në Shtetet e Bashkuara, pak kohë më parë, duke qenë I rraskapitur.
Në çerekfinale, do të jetë për herë të parë në historinë e US Openit një duel italian, pasi Siner do të ndeshet me patriotin e tij, Lorenco Muzeti.
Tek femrat, suksesin e arriti numri 2 I botës, Iga Shviontek.
Polakja, që ka gjithashtu 24 vjeç, mundi pa probleme rusen Jekaterina Aleksandrova, 2-0 me sete, dhe me rezultatin e seteve 6-3 e 6-1.
Shviontek, fituese e gjashtë Grand Slemeve, do të kërkojë titullin e dytë në US Open, ndërsa rivalja e saj e madhe mbetet numri 1 I botës, bjellorusja Arina Sabalenka./abcnews.al

