Derbi i Liverpulit u vesh blu. Evertoni mposhti 0-2 kampionët në fuqi, duke ia dalë të fitojë në “Anfield” pas 22 viteve. Një sukses fantastik për djemtë e Carlo Ancelottit, të cilët ndajnë vendin e gjashtë me Liverpool (nga 40 pikë).
Trajneri italian nuk e fsheh gëzimin për këtë sukses historik në prononcimin për mediat. Ancelotti po bën një punë shumë të mirë në stolin e Everton, skuadrës që ka si objektiv kualifikimin në Champions League për sezonin e ardhshëm.
“Jam shumë i lumtur për skuadrën dhe të gjithë tifozët tanë. Djemtë e mi sakrifikuan, u përpoqën pafund dhe e merituan fitoren. Jam realisht shumë i lumtur. Kishim si synim të bllokonim Robertson dhe treshen e tyre të sulmit, dhe ia dolëm.
Coleman bëri një punë të shkëlqyer, më pëlqyen shumë edhe James Rodriguez e Richarlison. Po punojmë fort dhe rezultatet po vijnë. Jemi në garë për kompeticionet evropiane, por, për momentin, nuk duhet të mbajmë mendjen te katër vendet e para“, theksoi Ancelotti. /abcnews.al