Bota e futbollit me atë të politikës po përplaset këto ditë në Itali, për shkak të vendimit të qeverisë që të lejojë vrapimet në parqe prej 4 majit, por jo stërvitjen e ekipeve. Kështu, skuadra e Serie A mund të punojnë në grup vetëm pas 18 majit, gjithmonë nëse nuk merret ndonjë vendim tjetër.
Më 1 maj pritet të ketë një takim mes klubeve të Serie A dhe po tentohet të binden autoritetet për të ndryshuar vendimin. Presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, nuk e fsheh aspak zhgënjimin për mënyrën se si po shikohet futbolli në këtë moment.
Për “Canale Europa” ai ka deklaruar: “Futbolli ndihmon për të lëvizur interesa të jashtëzakonshme ekonomike, por është gjithashtu një fenomen shoqëror me një rëndësi të madhe për publikun e gjerë. Që të ketë zero rrezik, ne duhet të presim për vaksinën.
Sipas shkencëtareve, ajo nuk do të jetë gati deri në pranverën e vitit 2021 dhe ne nuk mund të mbyllim gjithçka, në pritje që kjo të ndodhë. A mund të pezullojmë dot kaq gjatë një aspekt ekonomik dhe shoqëror? Jam i zhgënjyer kur shoh dhe detyrohem të luftoj apatinë dhe mungesën e interesit ndaj futbollit.
Më trishton fakti që shoh një mospërfillje të tillë ndaj një sporti që çdo fundjavë ka 14 milion njerëz të përfshirë, në 12 sektorë të tregtisë, që u jep shpresë dhe ëndrra njerëzve. Nëse nuk do të ishin kushtet për të vazhduar, do ngrinim duart lart dhe do pranonim. Por nuk është situata kështu. Protokolli ynë mjekësor është i hapur për ide dhe përmirësime”. /abcnews.al