8.493 të vrarë vetëm në tre muajt e parë të vitit 2019 në Meksikë. Është kjo shifra record që e bën këtë tremujor më të dhunshmin në historinë e vendit. Shifra përgënjeshtron dhe deklaratat e presidentit të vendit Obrador i cili pretendon se gjatë presidencës së tij numri i vrasjeve nuk është rritur.
Edhe një rekord negativ më shumë për Meksikën, në fushën e sigurisë. Tre mujori i parë i vitit 2019, ka qenë më i dhunshmi në historinë e vendit. Që nga muaji janar deri ë muajin mars janë regjistruar 8.493 vrasje, sipas të dhënave zyrtare. Për sekretarin ekzekutiv të sistemit kombëtar të sigurisë publike, një shifër e tillë përfaqëson një rritje prej 9.6 për qind të numrit të vrasjeve në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Viti 2018 në fakt u konsiderua si më i dhunshmi në historinë e Meksikës me më shumë se 33 500 vrasje, numri më i lartë që kur ka nisur regjistrimi i tyre në vitin 1997. Rekordi përgënjeshtron deklaratat e presidentit Andres Manuel Lopez Obrador, sipas të cilit vrasjet nuk janë shtuar gjatë presidencës së tij, e cilia nisi në muajin dhjetor.
Në një eveniment të marinës ushtarake presidenti meksikan Obrador mbrojti idenë e krijimit të njësisë së rojeve kombëtare. Kjo është strategjia e tij për të luftuar valën e dhunës që përfshiu Meksikën që kur qeveria i shpalli luftë bandave të fuqishme të drogës në vitin 2006. /abcnews.al