Tregu i sigurimeve u rrit me 20.6% për muajin janar

schedule23:15 - 1 Mars, 2023

schedule 23:15 - 1 Mars, 2023

Tregu i sigurimeve e ka nisur me rritje vitin 2023. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto për muajin janar kishin vlerën e 1.7 miliardë lekëve, në rritje me 20.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja më e lartë është regjistruar në tregun e sigurimit të jetës, me 53.7%, ndërsa segmenti më i madh i tregut, ai i sigurimit të jo-jetës, është rritur me 20.6%.

Në segmentin e jetës, rritja ka ardhur kryesisht nga disa produkte të sigurimit që zakonisht ofrohen nga bizneset në formën e përfitimeve për punonjësit e tyre. Ndërsa në segmentin e sigurimeve të jo-jetës, rritja paraqitet e shpërndarë në shumicën e produkteve të sigurimit.

Ritme veçanërisht të larta të rritjes ka regjistruar për muajin janar sigurimi i përgjegjësve civile, me 93% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky produkt është i lidhur kryesisht me bizneset dhe veçanërisht me sigurimin e përgjegjësive në sektorin e ndërtimit.

Rritje të lartë ka shënuar edhe për janarin sigurimi i detyrueshëm i kartonit jeshil, me një rritje të primeve prej 25.6% krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Ky produkt lidhet sidomos me turizmin dalës dhe qarkullimit jashtë vendit të automjeteve të regjistruara në Shqipëri.

Produkti kryesor i tregut, sigurimi i detyrueshëm për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta, për janarin ka vijuar me një tendencë të qëndrueshme rritjeje, prej 9.5% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ecuri pozitive për janarin ka shfaqur edhe produkti kryesor i sigurimit vullnetar, sigurimi i pronës nga katastrofat, ku prmet e shkruara bruto u rritën me 23.8%.

Megjithëse viti 2023 ka nisur me ritme të larta të rritjes së tregut të sigurimeve, periudha njëmujore është tepër e shkurtër për të kuptuar nëse bëhet fjalë për tendenca të qëndrueshme, apo shifrat reflektojnë zhvillime sporadike, që do të korrigjohen më tej gjatë vitit në ritme më normale të rritjes.

Në fakt, rritja e tregut, e matur sipas numrit të kontratave, paraqitet në nivele ndjeshëm më të ulëta, me 15.2%. Madje, në tregun e sigurimit të jetës numri i kontratave është në rënie, me 4.5%, fakt që dëshmon se rritja e lartë e primeve të shkruara bruto nuk reflekton zgjerimin e bazës së individëve të siguruar.

Për muajin janar edhe dëmet e paguara bruto nga kompanitë e sigurimeve janë rritur ndjeshëm, me 42.5% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja ka ardhur kryesisht nga tregu i jo-jetës, me 49.3% më shumë krahasuar me janarin 2022.

Megjithatë, edhe në rastin e dëmeve rritja e lartë duket se ka ardhur si pasojë e ngjarjeve të veçanta të sigurimit. Konkretisht, është vërejtur një rritje shumë e lartë e dëmeve në produktet e sigurimit kundër dëmtimeve të tjera në pronë dhe në sigurimin e garancive.

Këto ngjarje kanë sjellë rritje të fortë dhe me shumë të ngjarë të përkohshme të peshës së këtyre produkteve në strukturën e dëmeve, që, sidoqoftë, vazhdon të dominohet nga produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!