Tregolëshi i parë amerikan/ Messi shkëlqen pas kthimit nga Kombëtarja, kampioni i botës realizoi “kryeveprën” në 11 minuta

schedule16:36 - 20 Tetor, 2024

schedule 16:36 - 20 Tetor, 2024

E ka deklaruar se ky do të jetë ekipi i tij i fundit, por mrekullia e tij ende nuk ka përfunduar.

Lionel Mesi shkëlqeu sërish fort tek Inter i Majemit, duke e ndihmuar jo vetëm që të fitonte ndeshjen e radhës, por edhe të vendoste dy rekorde në ligën profesioniste amerikane.

Kampioni i botës hyri në fushë vetëm në pjesën e dytë, dhe madje shkëlqeu vonë, por kur e bëri i la të gjithë pa fjalë.

Ai shënoi tre gola në vetëm 11 minuta, nga e 78-ta në të 89-ën.

Më herët kishte shërbyer edhe një asist, dhe Nju Inglënd u mund 6-2 në Floridë.

Ky ishte tregolëshi i tij i parë në Shtetet e Bashkuara, dhe erdhi vetëm pak ditë pasi shënoi tri herë për Argjentinën në eliminatoret e Kupës së Botës.

Skuadra nga Majemi vendosi rekordin e pikëve në një sezon të rregullt në Amerikë me 74 pikë, por edhe një rekord tjetër.

Inter fitoi 76.5 për qind të pikëve të mundshme, ndërsa rekordi më parë kishte qenë 75 për qind.

Vetë Mesi e mbylli sezonin e rregullt me 20 gola e 16 asistë në 19 ndeshje, duke qenë shënuesi më i mirë bashkë me Luis Suarezin, që gjithashtu pati 20.

Mbrëmja u bë edhe më e bukur kur presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, përshëndeti ekipin dhe tifozët pas ndeshjes, dhe deklaroi se Interi do të jetë në Kupën e Botës për klubet të vitit të ardhshëm, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara me pjesëmarrje të 32 skuadrave.

Gjithsesi, më përpara, Mesi dhe ekipi nga Florida do të synojnë suksesin në plej of dhe titullin kampion amerikan. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!