Tre zyrtarë sirianë shpallen fajtorë për krime lufte në Francë, dënohen me burgim të përjetshëm

schedule07:48 - 25 Maj, 2024

schedule 07:48 - 25 Maj, 2024

Një gjykatë franceze shpalli tre zyrtarë të lartë sirianë fajtorë për krime lufte, për përfshirjen e tyre në zhdukjen dhe vdekjen e një burri me origjinë franko-siriane dhe djalit të tij.

Tre sirianët u dënuan me burgim të përjetshëm dhe gjyqi u mbajt në mungesë të tyre, raporton Reuters.

Mazen Dabbagh dhe djali i tij Patrick, të cilët u arrestuan nga agjentët e inteligjencës të Forcave Ajrore Siriane në Siri në nëntor 2013, vdiqën më vonë në paraburgim.

Një nga zyrtarët e shpallur fajtor për bashkëpunim në zhdukjen dhe torturimin e tyre, Ali Mamluk, është këshilltari i sigurisë i presidentit Bashar al-Assad, sipas Reuters.

Dy të tjerët, Jamil Hassan dhe Abdel Salam Mahmoud, janë drejtorë të hetimeve në njësinë e inteligjencës të Forcave Ajrore Siriane.

Qeveria siriane, Assad dhe Rusia kanë hedhur poshtë akuzat për vrasje masive dhe tortura në një luftë që ka vrarë qindra mijëra njerëz, sipas shifrave të OKB-së./abcnews.al