Dy vite më parë tre motra ruse vranë babain e tyre 57 vjeçar pasi abuzonte prej vitesh me të treja, fizikisht dhe seksualisht. Gjyqi që do të zhvillohet këtë javë ka marrë shumë vëmendje pasi të treja do të akuzohen për vrasje me paramendim dhe rrezikojnë deri në 20 vite burg.
Ndërsa opinioni rus është i përçarë duke krijuar dy fronte ekstreme: ata që i fajësojnë dhe ata që mbrojnë tre vajzat.
Dhuna në familje, dhe sidomos ajo ndaj grave është një temë shumë e nxehtë dhe sheh palë të shoqërisë që pozicionohen në fronte të kundërta.
Dhe autoritetet që kanë çështjen në dorë, patën shumë probleme për të arritur një pozicion të njëjtë. Në një moment të parë, pasi Mikail, 57 vjec, u gjet në një pellg gjaku në sallonin e shtëpisë së tij, i goditur dhjetëra herë me thikë dhe cekic – akuza fliste për vrasje me paramendim.
Më pas zv/prokurori i përgjithshëm riformuloi akuzën duke pranuar se tre motrat e kishin vrarë për të mbrojtur veten. Por pas presioneve nga ambiente të lidhura me kishën dhe sektorëve më konservatorë, u bë një modifikim i dytë. Motrat kishin vrarë pasi ndjenin armiqësi ndaj babait të tyre dhe e kishin planifikuar. Dënimi i mundshëm për një akuzë të tillë shkon nga 8 deri në 20 vite.
Mikail, një i papunë, ishte shumë supersticioz, dhe kishte mbushur shtëpinë me pamje fetare. Ndoshta për këtë arsye ende sot ka fqinjë të tij që flasin mirë për ‘të.
Ai ishte denoncuar për dhunë nga bashkëshortja e tij, të cilën e kishte dëbuar nga shtëpia bashkë me djalin; duke përfunduar i vetëm në shtëpi me tre vajzat të moshës 19, 18 dhe 17 vjeç. Ai i trajtonte si skllave dhe nuk i linte të dilnin nga shtëpia. I rrihte dhe i përdhunonte vazhdimisht. Në 27 korrik të dy viteve më parë ai sapo ishte kthyer në shtëpi kishte sulmuar vajzat e tij pasi sipas tij shpenzonin para dhe nuk mbanin pastër shtëpinë. Të dëshpëruara nga situata, motrat e vranë në kohën kur ai po dremiste në kolltukun e sallonit. Ngjarja ndodhi në një apartament në periferi të Moskës dhe shkaktoi shumë emocione në opinionin publik.
Deri pak vite më parë statistikat e ministrisë së brendshme jepnin një panoramë të frikshme të situatës në familjet ruse.
Në vitin 1999 qeveria ruse i dërgoi Kombeve të bashkuara një raport në të cilin thuhej se 14 mijë femra vriteshin çdo vit mes mureve të shtëpisë. Në vitin 2015 vrasjet në familje ishin një mijë ndërsa viktimat femra 300. Por qendra Anna kundër dhunës ndaj grave, jep një kuadër ndryshe: 9.600 viktima femra çdo 12 muaj./abcnews.al