Tri realitete të largëta që shndërrohen në një mozaik të vetëm: kërkimi për shpëtim, vetmia dhe iluzioni i kontrollit.
Siç sqaroi sot në “Abc e Mëngjesit”, në romanin e tij më të ri, “IMUN”, Tobias Xhaxhiu sjell një histori që sfidon kufijtë e ndërgjegjes njerëzore dhe të shoqërisë moderne. Përmes tre linjave të ndara, por thellësisht të ndërthurura, autori ndërton një univers ku viruse të padukshme, ato të brendshme, emocionale, shpirtërore nuk shuhen me vaksina, dhe ku njeriu përballet me pyetjen e përjetshme: A mund të mbetemi imunë përballë asaj që na bën njerëz?
Xhaxhiu krijon një protagonist modern, një qenie të pandalshme përballë sfidave, por që në thelb mbart një egoizëm të thellë, të maskuar. Ai është njeriu i kohës sonë: i fortë ndaj dhimbjeve, por i pambrojtur nga vetja.
Në Milano, Davidi, një mjek shqiptar në Institutin Sant’Angelo arrin të shpikë kurën kundër një virusi të rrezikshëm. Por fitorja e tij shkencore kthehet në mallkim, sepse pa e ditur shpik edhe fundin e vet.
Në Rivierën Shqiptare, Greta, bashkëshortja e tij, jeton në një shtëpi qelqi, një hapësirë ku dashuria dhe izolimi takohen, përthuren dhe nganjëherë shkatërrojnë njëri-tjetrin.
Në Tiranë, një reality-shoë dashurie degjeneron në tragjedi, duke zbuluar fytyrën e vërtetë të shoqërisë së spektaklit dhe ndikimin e medias në jetën shqiptare. Kjo linjë, si një pasqyrë e hidhur, na tregon sa lehtë shndërrohen emocionet në konsum dhe njerëzit në personazhe të harxhuara.
“IMUN” vjen si një roman që prek, trazon dhe sfidon. Një udhëtim drejt brendësisë së njeriut modern, drejt frikave dhe shpresave që na mbajnë gjallë, dhe drejt asaj pyetjeje thelbësore që gjithmonë mbetet pezull.

