Trazirat në Portland, akuza e Biden: Presidenti Trump inkurajon dhunën

schedule15:52 - 31 Gusht, 2020

schedule 15:52 - 31 Gusht, 2020

Ish zv/presidenti amerikan dhe kandidati demokrat për në Shtëpinë e Bardhë Joe Biden akuzoi presidentin amerikan Trump se po inkurajon dhunën në vend pas trazirave të shpërthyera në Portland.

Joe Biden dënoi dhunën e shpërthyer si pasojë e tensioneve raciale në Portland. Por ai shtoi se presidenti amerikan Donald Trump inkurajon dhunën.

Biden e cilësoi të papranueshme atë që kishte ndodhur në Portland duke thënë se nuk mund të qëllohet me armë në rrugë në një qytet të madh amerikan. Kandidati demokrat u shpreh se ndoshta Trump mendon se lufta në rrugët amerikane është një avantazh për rizgjedhjen e tij.

Nga ana e tij kreu i Shtëpisë së bardhë pavarësisht apelit të guvernatorit të Uiskonsin, do të jetë të martën në Kenosha për t’u takuar me forcat e rendit dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga protestat si pasojë e plagosjes se Jacob Blake – të riut që u qëllua në shpinë me shtatë plumba nga një agjent policie e që tashmë është në një karrige me rrota.

Një ditë më parë presidenti amerikan ripostoi në profilin e tij Twitter mesazhin e një mbështetësi që shkruante se personi i vrarë gjatë përplasjeve mes manifestuesve pro Trump dhe aktivistëve të “Black Live Mater” u qëllua nga këta të fundit. Gjithashtu presidenti amerikan theksonte në mesazhet e tij se vendit i duhet ligj dhe rend dhe se dhuna ndalohet me dhunë./abcnews.al