Transformohet blloku i banimit në rrugën “Kel Kodheli” në Tiranë

schedule12:31 - 21 Gusht, 2019

schedule 12:31 - 21 Gusht, 2019

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj premton se gjatë mandatit të tij të dytë në Tiranë do të përfundojë projekti i Unazës së Madhe dhe rehabilitimi i lumit Lana. Kryetari i bashkisë inspektoi punimet e kryera në një prej blloqeve të banimit në kryeqytet.

Blloku i banimit mes “Kel Kodheli” dhe “Skënder Shtylla” në Tiranë ka përfunduar së rikonstruktuari. Pasi inspektoi përfundimin e punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tregoi për investimet e tjera që do të prekin zonën.

“Këtë mandat Njësia 7 do të përjetojë disa ndërhyrje masive, si rehabilitimi i Lanës, patjetër do të bëhet Unaza e Re. Ne nuk mund të lejojmë minoranca të zhurmshme që bllokojnë një mëhallë të tërë për të aksesuar një rrugë që sjell ekonomi, zhvillimin”.

Kryebashkiaku Veliaj tregoi se rehabilitimi i Lanës do të vijojë nga zona e pallatit me shigjeta deri në Kashar.

“Njerëzit nuk jetojnë vetëm në autostrada dhe vetëm buzë Lanës, njerëzit jetojnë në lagjet e tyre. Do të ecim paralelisht në dy fronte. Pra, me projektin e Unazës së Madhe dhe me projektin e rehabilitimit të Lanës, me Bulevardin, shëtitoren me tre korsi në të dy anët e Lanës, siç po bëhet zgjatimi nga Materniteti i Ri deri në Shkozë, ashtu do të vazhdojë nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar. Por, njëkohësisht do të vazhdojmë edhe me punimet e Unazës së Madhe te Astiri. Kush ka pronë do të marrë lekët, kush s’ka pronë, por ka nevojë për strehim, do të marrë strehim, por projekti më i rëndësishëm i Tiranës nuk mund të bllokohet nga 30 zhurmaxhinj”.

Me  buxhetin e parë të Bashkisë së Tiranës për këtë mandat të dytë të kryebashkiakut Veliaj do të nisë dhe projekti i 100 lagjeve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!