Transferimi nga Dubrava në burgun e Lipjanit

schedule23:25 - 28 Maj, 2021

schedule 23:25 - 28 Maj, 2021

Rrëfime nga i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.

25/26 Maj 1999 – Nga dita e djeshme dhe dhuna e dajaku që na kishin dhënë policia e gardianët në hyrje të burgut të Lipjanit neve akoma plagët na kullonin gjak. Rënkonin të plagosurit, ofshanin, thërrisnin nën zë e shtrëngonin nofullat nga dhimbjet. Duke qëndruar u kërcisnin dhëmbët nga sikleti, po qëndronin e duronin duke shpresuar. Ata në mendje kishin çdo gjë.

Tani me s’kishim foto as t’i shihnim familjarët e tyre, se na shqyen në burgun e Dubravës, duke dashur të na fshijnë çdo kujtesë dhe kush jemi e nga jemi. Po në mendje ashtu si mundnim i kujtonim të afërmit tonë.

Na dilnin para syve të qeshur nënat, motrat vëllezërit, të fejuarat e gratë dhe fëmijët ashtu siç disa na ne i kishim lënë, por dhe të trishtuar kur i kishin marr e zënë nëpër fushë bëtaja ushtarët apo nëpër kampe kur i kanë arrestuar para syve të fëmijëve e grave, policia e ushtria serbe. Çdo gjë ishte në mendje ashtu të vijëzuara, me imtësinë më të madhe dhe saktësinë e përshkrimit të syrit të trurit që na shfaqte imazhe dhe na mbushte zemrat qëndresë e durim. Këto kujtime na u ndalnin vetëm kur gjuanin avionët e NATO-s dhe gjuajtjet e Ushtrisë Serbe.

Nata ishte e frikshme, frikën e rrisnin vrasjet në burgun e Dubravës, që kishin ndodhur ditë më parë. Akoma më shumë e shtonin friken, ku ne ishim në Lipjan aty kishte “kolonë” të ardhur ngish mbretëria Serbe–Kroate-Sllovene, të kohës së Pashiqit e të kohërave të mëvonshme. Ku këta kane treguar agresivitet ndaj shqiptareve në vazhdimësi. Duke ju marre tokën e duke i detyruar të shpërngulen në vazhdimësi.

Frika ishte se nga pësimi i tyre nga avionët dhe mund të vinin të hakmerreshin ndaj neve. Duke kujtuar të gjitha këto në kokë, disa dhe në një gjumë të frikshëm rënkonin ose kur rrotulloheshin e u mpihej trupi në një krah, ofshanin. Disa qe ishin te vjetër bënin lutje të ndryshme dhe ofshanin ‘of nënë’. Kjo ofshame të therte në shpirt, por dhe ju hapte sytë. Luteshin dhe luteshin thuaja i zbardhte mëngjesi. Mëngjesi zbardhi me vrazhdësi, sepse dëgjoheshin britmat e torturave të të burgosurve që ushtronin policët.

Ashtu të pa rruar, të pa gjumë, na ishin ajuar dhe sytë, na kishin dal mollëzat pa ngrënë as pa pirë ujë, që na përvëlonte etja ne prisnim vdekjen. Po dhe luteshim ta shkatërroj Serbinë NATO-ja. Çdo raketë që lëshonin avionët ndjeja në shpirt gëzimin. Se e dija se një policë një makineri ushtarake ishte shkatërruar.

Ne s’kishim asnjë njoftim për gjendjen jashtë. S’kishim gazeta, s’kishim as tv e radio. Po këto të gjitha i merrnim vesh nga sjelljet e gardianeve. Kur silleshin si bisha e dinim se kanë pësuar e janë vra shumë nga ushtarët e tyre, kur silleshin me butë e perceptonim gjendjen në favorin e tyre. Gjithçka ishte në serbishte.

Dhe dëgjohej një zë i pa artikuluar në serbishte, dukej se fliste Millosheviqi me britmën e tij karakteristike duke ju dhënë vullnet ushtarëve e policëve serb, me qëndruar në front me mbrojtur Kosovën. Po ne në heshtje pritnim, çdo të bëhet me fatin tonë? Nuk kish përgjigje. Po një përgjigje e dija se fitorja do të jetë e jona, pavarësisht jetëve tona dhe gjatësisë së bombardimeve të NATO-s e luftës së UÇK-së.

Sa herë i kujtoja këto mendime, në trup ndjehesha ri-gjenerues i plagëve që më kulmonin gjak dhe triumfues në idealin tonë kombëtar. Dhembjet na kujtonin plagët dhe gjendjen ku jemi. Dhe ndonjëri kur fliste përçartë dhe ne dremitje të gjumit trembej kërcente.

Sepse i dilnin skena të tmerrshme të burgut të Dubravës dhe pushkatimi. Dhe ktheheshim në burg, dera çelej dhe kuzhinieri thërriste: merre një gjysmë tasi sup, që ishte krejt ujë, që sup i thënçin, një rriskë buke, që nga uria e gjitha mbetej në gojë duke u mbërtypur. Dhe dita ecte me avashin e saj në pritje të territ.

Dhe datat e as ditët e javës për ne e kishin humbur rëndësinë e tyre, sepse të njëjta ishin. Ditët kujtonim vetëm me gjuajte të raketave dhe me terrin që binte e dita kur lindte. Dhe ne e pritnim aty mes hekurave lindjen e diellit për Kosovën e për ne mes krismave e breshërive të plumbave.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!