Tranporti publik rifilloi pasi u ulën masat e sigurisë për qytetarët

schedule14:34 - 6 Korrik, 2020

schedule 14:34 - 6 Korrik, 2020

Pas katër muajsh ndërprerje transporti publik në Tiranë nisi sot punën. Rixhin Qoshja nga shoqata e transportit ishte në studion e Abc News, ndërsa gjatë intervistës me gazetaren Suela Demiri, ai tregoi se si po funksionon rinisja.

Qoshja u shpreh se filluan punë pas ndërhyrjes së kryebashkiakut Erion Veliaj, ndërsa u bë e mundur ndryshimi i protokollit. Sipas tij, pavarësisht se kanë nisur punën janë në vijim të negociatat për kërkesat ekonomike.

Protokolli i ri i sigurise

Ndryshimi i protokollit lidhet me uljen e masave të sigurisë për qytetarët duke rritur edhe numrin e udhëtarëve për secilin autobus.

Po ashtu, sipas protokollit të ri, nuk është i detyrueshëm dezinfektimi i autobusëve pas çdo rruge, ndërsa përgjegjësia e mos mbajtjes së maskave është e qytetarëve dhe jo e kompanive të transportit.

“Rifilluam pas ndërhyrjes së kryetarit Erion Veliaj, për të bërë të mundur ndryshimin e protokollit të sigurisë. Me atë protokoll që ishte nuk mund të vepronim. Tani kemi një protokoll sigurie të pranueshëm nga të gjitha palët. Jemi në pritje për të vazhduar negociatat për kërkesat ekonomike që operatorët kanë.

Nga kërkesat tona 100% deri tani është plotësuar ndryshimi i protokolli, kërkesat ekonomike negociatat vazhdojnë. Numri i qytetarëve është i reduktuar. Do të thotë se nuk ka një jetëgjatësi ky shërbim në kushtet aktuale.

Sot kemi parë që protokolli i sigurisë është respektuar. Nuk e di nëse financiarisht do të jetë e mundur për ta vazhduar këtë shërbim.

Të gjithë kanë qenë të pajisur me maska. Distancimi deri diku është mbajtur”, është shprehur ai.

Më tej, Qoshja tha se duhet të ndërmarrin masa ndërgjegjësuese për qytetarët se si duhet të përdorin transportin publik.

“Duhet të bëjmë një ndërgjegjësim për qytetarët për të respektuar rregullat. Në autobusë shkruhet hyrja dhe dalja, dhe kjo duhet të respektohet, sidomos tani që edhe numri i qytetarëve që përdorin transportin është i reduktuar. Faturino është brenda dhe nuk mund të drejtojë njerëzit ku duhet të hyjnë dhe ku duhet të dalin”, u shpreh ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!