“Traktat i ri bërthamor”, Trump: Veç Rusisë të përfshihet edhe Kina

schedule19:00 - 3 Gusht, 2019

schedule 19:00 - 3 Gusht, 2019

Pas tërheqjes nga traktati i Luftës së Ftohtë për armët bërthamore, presidenti Donald Trump ka propozuar një marrëveshje të re, ku veç Rusisë duhet të përfshihet edhe Kina. Duke folur për mediat, Trump ka thënë se Pekini dhe Moska kanë shprehur interes ndaj kësaj ideje.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se dëshiron një marrëveshje të re bërthamore ku përveç Rusisë të aderojë edhe Kina. Trump ka bërë me dije se ka folur me dy vendet në fjalë në lidhje me idenë e tij dhe ato sipas tij janë shprehur shumë të interesuara. Komentet e shefit të Shtëpisë së Bardhë erdhën pasi Shtetet e Bashkuara u tërhoqën zyrtarisht të premten nga traktati i vitit 1987 për ndalimin e armëve bërthamore, lëvizje që shtoi frikën për fillimin e një gare të re armatimi.

I pyetur nga mediat se si do ta shmangë një garë të tillë, Trump tha se administrata e tij ka qenë në kontakt me atë ruse për një pakt të ri. “Një pakt ku patjetër duhet të përfshihet edhe Kina”, vijoi Trump. Ai theksoi se një gjë e tillë do të ishte shumë e dobishme për mbarë botën dhe shprehu bindjen se do të realizohet.

“Kina ka qenë shumë e interesuar për të folur për këtë temë dhe po ashtu edhe Rusia. Ndaj mendoj se herët a vonë do ta arrijmë një marrëveshje”, vijoi Trump për gazetarët. Traktati i Luftës së Ftohtë për armët bërthamore ndalonte vendosjen në terren të raketave me rreze veprimi që varion nga 500 deri në 5 mijë e 500 kilometra. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara ditën e premte erdhi pas akuzave të Uashingtonit se Moska kishte shkelur paktin duke vendosur në terren raketa të reja të tipit “Kruis”, akuzë që Kremlini e ka mohuar vazhdimisht./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!