Trajtonte si skllevër rumunët, dënohet shqiptari në Britani, i linte punonjësit në një godinë me minj

schedule19:30 - 30 Korrik, 2021

schedule 19:30 - 30 Korrik, 2021

Një 42-vjeçar shqiptar në Britaninë e Madhe është dënuar nga autoritetet vendase me akuzën e skllavërisë së punonjësve rumunë në biznesin e tij.

Mediat shkruajnë se 42-vjeçari shqiptar Defrim Paci bashkë me një të huaj u dënuan pas një procesi të gjatë gjyqësor, pas akuzave se detyronin personat të punonin për ta, me pak para dhe në kushte shumë të vështira.

Paci u dënua me 45 muaj burg. Ai bashkë me një të huaj kishte në pronësi një lavazh, ku dhe rekrutonin punonjës rumunë. Së bashku ata bënë të mundur që njerëzit nga Rumania të silleshin në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar në lavazhin e makinave.

Shtetasit rumunë punuan për një pagë tepër të ulët me orë jashtëzakonisht të gjata. Një punëtor përshkroi që nuk kishte pushim gjatë ditës, dhe kishte pësuar djegie në lëkurë duke pastruar kimikate pa veshje mbrojtëse. Një tjetër tha: “Ata më trajtuan njësoj, siç do të bënin me një skllav.”

Një pjesë e marrëveshjes përfshinte zbritje nga pagat e tyre për të kompensuar udhëtimin dhe akomodimin.

Punëtorët duhet të paguanin për të jetuar në kushte skandaloze në një godinë të mbushur me minj.

Pagesa për akomodim, energji elektrike dhe kthimi i shpenzimeve të udhëtimit i la “skllevërit” me vetëm 20 £ në javë për të jetuar.  m.v/abcnews.al