Kombëtarja shqiptare do të luajë të shtunën ndaj Francës ndeshjen kualifikuese për Euro 2020. Trajneri i kuqezinjve Edi Reja pritet të hedhë në fushë formacionin 3-5-2.
Kombëtarja shqiptare paraqitet e plotë në prag të duelit kualifikues të Euro 2020 ndaj Francës, e cila do të zhvillohet të shtunën në orën 20:45. Trajneri Edi Reja kërkon një skuadër solide dhe të fortë fizikisht si e vetmja mënyrë për t’i bërë balle kampionëve në fuqi të botës. Aktualisht gjendja e futbollsitëve i përmbush kërkesat e trajnerit Italian i cili e ka krijuar tashmë idenë se cilët lojtarë do të hedhë në fushën e lojës. Trajneri pritet të vendosë pak orë para fillimit të ndeshjes se cili do të mbbrojë katërkëndeshin e portës pasi Strakosha dhe Berisha kanë shkëlqyer në dy javët e para të Serisë A dhe për trajnerin 73 vjeçar nuk është aspak e lehtë të bëjë një zgjedhje përfundimtare. 3-5-2 është variant më i mundshëm për të zbritur në fushë. Reparti difensiv do të plotësohet nga Mavraj-Gjimshiti dhe Ismajli. Në linjat anësore do të vendosen Hysaj në të djathtë dhe Lenjani në të majtë. Në repartin e mesit të fushës konfirmohet dyshja Xhaka-Abrashi, ndërkohë që ka balotazh mes Gjasules dhe Bares.
Sulmi do të përbëhet nga dy futbollistë, ndërkohë që konfirmohet vetëm Bekim Balaj dhe ka balotazh mes Cikalleshit dhe Uzunit. Favorit mbetet shtatlarti Cikalleshi pasi trajneri Reja kërkon centimetra në zonën kundërshtare. Shqipëria renditet në vendin e katërt në grupin H me 6 pikë të grumbulluara, ndërkohë që Franca kryeson me 9 pikë po aq sa Turqia dhe Islanda. /abcnews.al