Trajneri i Young Boys, Gerardo Seoane Castro, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes me Tiranën, e vlefshme për Play-Off te UEFA Europa League. Ekipi zviceran është dukshëm favorit dhe këtë gjë, e ka kuptuar dhe trajneri 41-vjeçar, i cili gjithsesi, nuk ka preferuar të vërë në presion lojtarët e tij.
“Ne nuk jemi të shqetësuar nëse nuk e arrijmë të kualifikohemi. Fokusi ynë është në performancën tonë dhe mënyrën se si duam t’i futemi kësaj ndeshje, gjithmonë duke e ditur se mund të mundim çdo kundërshtar.
Ne e dimë saktësisht se çfarë është në rrezik pas kësaj sfide, por fokusi ynë nuk është te frika e skualifikimit. Një sportist nuk mund të jetë i qetë kur ka gjëra të tjera në mendje. Detyra e stafit është të tregojë rrugën drejt fitores.
Më duket interesante që është avantazh ndeshja në terren artificial. Çdo skuadër mund të fitojë edhe këtu. Ju nuk mund të përgjithësoni, sepse një vend është i tillë dhe një tjetër jo.
Futbollistët shqiptarë do të vijnë këtu për të treguar futboll. Nuk e di se kur ishte disfata e fundit e jona në shtëpi, nuk mbaj statistika dhe nuk i mendoj shumë. Në shtëpi jemi dominantë”, u shpreh Castro./abcnews.al

