Aventura e tij me Portugalinë nuk u mbyll me sukses në Kupën e Botës Katar 2022 dhe tashmë Fernando Santos merr timonin e kombëtares së Polonisë.
Trajneri portugez do të ketë mundësinë e tij të provojë polakët në rrugëtimin për në Euro 2024, ku në muajin mars Polonia do të nisë aventurën e saj në Grupin E me Republikën Çeke, Shqipërinë, Moldavinë dhe Islandën.
Ai u prezantua në gjatë konferencës, ku gjithashtu dërgoi një mesazh të dukshëm për kundërshtarët e tij në grup duke nënvizuar se për të qëllimi është vetëm kualifikimi për në Euro 2024 dhe gjithashtu theksoi se nuk e njeh humbjen.
“Objektivbi është të kualifikohemi për në Evropian, por është e rëndësishme edhe të ecim me projektin e të marrim fitore. Unë dua të fitoj gjithçka, kjo është ambicia ime. Nuk kam ardhur për të humbur te Polonia, unë nuk e njoh humbjen. E rëndësishme është që para eliminatoreve t’i njohim mirë kundërshtarët, Federata më ka prezantuar një projekt dhe për mua është e rëndësishme që edhe te Polonia të bëj atë çfarë kam bërë në detyrat e mëparshme. Dua të lë gjurmë dhe të ndihmoj në ndërtimin e së ardhmes”, përfundoi Santos.
Santos do të ketë ndeshjen e parë zyrtare në krye të Polonisë më datë 24 mars ndaj Republikës Çeke. Tre ditë më pas, do të presë në shtëpi kombëtaren tonë të Shqipërisë./ h.ll/abcnews.al