Cristiano Ronaldo po përgatitet që të jetë në fushë në nivelin e tij më të lartë në Euro 2024 që do të mbahet vitin e ardhshëm, ndërsa për të fjalë të mira kishte trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez.
Sipas Martinez, ylli i madh e ka befasuar me mënyrën se si përfshin gjithë skuadrën në dëshirën për të triumfuar.
“Ajo që më befason më shumë tek ai është uria që ka. Nuk kam parë kurrë një futbollist me kaq shumë eksperiencë që ka akoma një dëshirë kaq të fortë për të qenë më i miri në çdo stërvitje. Pastaj kjo ‘infekton’ edhe shokët e skuadrës.
Për një 18-19 vjeçar është diçka e rëndësishme të vijë aty dhe të shohë dikë si Cristiano Ronaldo që do të fitojë çdo ndeshje. Që vjen i pari dhe ikën i fundit nga stërvitja. Uria e Ronaldos është ajo e një futbollisti 18-vjeçar.
Më ka befasuar në një mënyrë që nuk e prisja“, ka thënë Martinez.
Sipas ‘timonierit’, fakti që Ronaldo luan në një kampionat si ai i Arabisë Saudite nuk ka ndikuar në paraqitjet e tij.
“Kërkesa e tij ndaj vetes është e njëjta. Kur vjen në kombëtare është gati, nuk ka asnjë rënie. Ka njerëz që shkojnë në kampionate të tjera dhe ulin nivelin kur grumbullohen në kombëtare. Ai shkoi në një kampionat me një projekt të ri në momentin perfekt, diçka që i dhuroi gëzim. Numrat e konfirmojnë, është lojtari me më shumë gola në vitin 2023, para Haaland dhe Mbappe, lojtarë që janë ende në fillim të karrierës“, përfundoi Martinez./ h.ll/abcnews.al