Jerzy Brzeczek, trajneri i Polonisë, pas ka mësuar rivalët në kualifikueset e Botërorit, ka folur në lidhje me shanset e kualifikimit dhe normalisht shikon Anglinë si favorite. Në analizën e tij ai kalon edhe Shqipërinë në skaner, sikurse edhe ekipet e lehta si Andorra e San Marino.
“Është një grup i pranueshëm, nuk është më i vështiri. Mendoj se Anglia është favorit, qartazi. Hungarezët janë një ekip interesant, kurse Shqipëria një rival i sikletshëm. Teorikisht Andorra dhe San Marino janë rivalët më të dobët, por do të paralajmëroja që nuk duhen nënvlerësuar.
Më kujtohet kur si futbollist luajta kundër San Marinos. Fituam 1-0 dha Jan Furtok shënoi me dorë. Duhet kujdes”, shprehet Brzeczek në “TVP Sport”, ndërkohë që më pas ndalet në veçanti tek Anglia. “Deri tani kemi fituar vetëm një herë më Anglinë dhe do të jetë e vështirë të marrim fitoren e dytë në histori.
Trajneri Gareth Southgate ka yje të mëdhenj të futbollit botëror në skuadër. Flasim për lojtarë si Sterling, Harry Kane, Trent Alexander-Arnold, Jadon Sancho e Marcus Rashford. Puna që po bën Southgate i bën ata favoritë për Europianin e ardhshëm. Ata janë favoritët e grupit, por kjo nuk do të thotë që ne nuk mund të luftojmë kundër tyre”, mbyll Brzeczek. /abcnews.al