Trajneri i Kombëtares, Reja publikon 10 emrat e lojtarëve të parë për Europianin 2020

schedule12:46 - 21 Maj, 2019

schedule 12:46 - 21 Maj, 2019

Kombëtarja shqiptare nis përgatitjet për ndeshjet eleminatore të Europianit. Trajneri Edi Reja shpall listën e parë me 10 futbollistë, ndërsa javën tjetër skuadra do të jetë e plotë.

Premtoi se do ta nxirrte shpejt listën e parë, dhe kështu bëri. Trajneri i kombëtares, Edi Reja, është i vendosur të shfrytëzojë sa më shumë nga koha e paktë në dispozicion, për të bërë gati skuadrën për ndeshjet e rëndësishme eleminatore të qershorit, ndaj Islandës dhe Moldavisë.

Italiani shpalli emrat e grumbullimit të pjesshëm që nis menjëherë në kompleksin “Tropikal” në Durrës.

Në listë janë 10 futbollistë, kryesisht nga Shqipëria dhe Greqia, që kanë përfunduar sezonin.

Bien në sy tre lojtarë nga Partizani i saposhpallur kampion, portieri Hoxha, dhe mesfushorët Trashi e Telushi.

Po ashtu ka mjaft nga Greqia, si mbrojtësi Enea Mihaj, mesfushorët Migjen Basha dhe Ergys Kaçe, por edhe Grezda nga Skocia, Dermaku e Ndoj nga Italia,  apo Ramadani nga Danimarka.

Stërvitjet zhvillohen çdo ditë në orën 17:00, ndërsa konferencat për shtyp nisin të premten.

Në stërvitje me kombëtaren do të jenë edhe 12 lojtarë të Shqipërisë U21, të cilët kanë përfunduar sezonin, dhe do të thirren nga trajneri Alban Bushi për ndeshjet zyrtare ndaj Turqisë, dhe miqësoren ndaj Uellsit.

Ndër ta, ka lojtarë që luajnë në Zvicër, në Spanjë, në Belgjikë, tek Lacio, në Holandë apo në Maqedoninë e Veriut.

Lista e plotë për ndeshjet e Europianit ndaj Islandës e Moldavisë, do të shpallet të hënën e ardhshme, në 27 maj, kur trajneri Edi Reja do të dalë në konferencë për shtyp.

Pas disa ditë stërvitjeje në Durrës, kombëtarja do të zhvendoset në Frankfurt të Gjermanisë në 2 deri në 6 qershor.

Shqipëria luan në 8 qershor në fushën e Islandës dhe në 11 pret Moldavinë në “Elbassan Arena”. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!