Trajneri i Fiorentina premton “betejë” në finalen e Kupës: Nuk kemi ardhur kot deri këtu

schedule21:12 - 23 Maj, 2023

schedule 21:12 - 23 Maj, 2023

Mbrëmjen e nesërme Fiorentina do të presë në mitikun “Stadio Olimpico”, “zikaltërit” e Inter në finalen e madhe të Kupës së Italisë, sfidë e cila do të startojë në orën 21:00.

Pasditen e sotme janë zhvilluar dhe konferencat për shtyp në prag të kësaj përballjeje, nga ku tekniku i Fiorentina, Vincenzo Italian premton një “betejë” të vërtetë në fushën e blertë, duke parë dhe nivelin e lartë që kundërshtarët “zikaltër” kanë.

“Është një ndjenjë krenarie të luash në finale. Duhet të bëjmë gjithçka për ta vënë Interin në vështirësi. Ne kemi nevojë për një paraqitje si ajo në Basel. Do të luajmë shanset tona. Kemi arritur deri këtu dhe do të përpiqemi të fitojmë.

Përveç cilësisë së madhe të lojtarëve dhe kampionëve që ata kanë në organikë, Interi ka edhe një trajner që di të shkojë shpesh në finale dhe që di edhe t’i fitojë. Inzaghi është një specialist, nuk e fsheh dot. Në sfidat finale, me të cilat jam përballur deri tani, kam kuptuar që nuk duhet të humbasësh kurrë besimin tënd.

Çfarëdo që të ndodhë, do të duhet të përveshim mëngët dhe të luajmë edhe tri ndeshjet e tjera që janë shumë të rëndësishme dy në kampionat dhe finalen e Conference League. Sfida përballë Inter është prova jonë e parë për të treguar cilësitë tona dhe për të treguar se e kemi merituar për të arritur deri këtu”,- u shpreh Italiano gjatë konferencës për shtyp. /i.m /abcnews.al