Trajneri gjeni që u njollos nga trukimet, historia e pabesueshme e Goethals

schedule13:09 - 1 Janar, 2021

schedule 13:09 - 1 Janar, 2021

“Pyesni një ndjekës të futbollit belg dhe ka shumë mundësi që t’ju thotë se Raymond Goethals është një nga trajnerët më të mëdhenj që ka nxjerrë toka e atij vendi”. Sigurisht në Shqipëri janë të paktë ata që e njohin. Karriera e tij është e pasur, por dritëhijet që lidhen me trukimet e kanë përndjekur atë.

Goethals ka regjistruar suksese të rëndësishme në karrierën e tij. Në Belgjikë ka drejtuar dy klubet më të mëdha: Anderlecht dhe Standart Liege. Në dhomën e trofeve të tij janë dy tituj kampionë në Belgjikë, Kupa dhe Superkupa, për të vijuar me trofetë në arenën ndërkombëtare, Kupa e Kupave dhe 2 Superkupa Europe.

Me Belgjikën gjithashtu ka arritur një sukses të madh, duke marrë vendin e tretë në Euro 1972. Gjithashtu ka fituar edhe Champions League në krye të Marseille, duke qenë i vetmi që ia ka dalë në krye të një klubi francez. Për t’ia rritur edhe më shumë vlerat, kujtojmë se mundi Milanin e madh të Fabio Capello.

 

Gjithsesi, mjafton një e keqe për të hedhur poshtë shumë të mira e suksese që mund të kesh arritur. Kështu ka ndodhur edhe me Goethals, i lindur në Vorts, në zonën e Brukselit. Karrierën e nisi në moshën 19-vjeçare. Viti 1940 dhe Daring Club Bruxelles ishte klubi i tij i parë. Luante si portier dhe për 17 vite bëri sa mundi në fushën e blertë. Në vitin 1957 doli në pension.

Koha ishte për të bërë trajnerin dhe RFC Hannutois ishte për të eksperienca e parë, sapo la futbollin. Pas dy vitesh mori drejtimin e Sint-Truidense dhe nisi të vërë emrin e tij. Shtatë vite në krye të ekipit belg dhe në vitin 1966 ia doli ta rendiste në vendin e dytë në kampionat dhe fitoi respektin e të gjithëve. Kjo i dha mundësinë të bëhej pjesë e stafit të kombëtares belge, si zëvendëstrajner.

Vetëm dy vite në këtë pozicion dhe mori vendin e Constant Vanden Stock, i cili prej 10 vitesh në krye të Belgjikës nuk ia doli ta kualifikonte kombëtaren në një turne madhor. Dora e Goethals u ndje menjëherë dhe pas 16 vjetësh “Rode Divels” u kualifikua në Botërorin 1970. Aty nuk është se pati sukses, pasi u rendit në vendin e tretë në grup. Meksika dhe Bashkimi Sovjektiv ishin më lart se ata. Gjithsesi në atë Botëror u regjistrua fitorja e parë në fazën finale, kundër El Salvador me shifrat 3-0.

 

Rezultatet e mira vazhduan dhe Goethals e kualifikoi Belgjikën dy vite më pas për herë të parë në një Europian. Kualifikimi erdhi pasi mundën Italinë kampione, që kishte lojtarë si Gigi Riva, Sandro Mazzola dhe Giacinto Facchetti. Belgjika e mbylli në vendin e tretë, pasi mundi në finalen e vogël Hungarinë.

Belgjika e Goethals u shqua për vendosjen perfekte taktike dhe stilin mbrojtës. Gjithashtu ai arriti të zhvillonte një sistem që fuste skuadrat në kurth me pozicionet jashtë loje. “I mençuri” dhe “Magjistari” ishin nofkat e trajnerit, i cili përkrahu shumë markimin zonal dhe presingun agresiv, që ditët e sotme janë shumë të përhapura në futbollin modern.

Goethals ishte një personazh edhe për mediat, pasi në konferencat për shtyp lëshonte shpesh batuta. Tifozët gjithashtu e donin shumë. Ka edhe diçka të veçantë rreth tij: Edhe pse kishte nofkën “I mençuri”, ai kishte një problem të madh me shqiptimin e emrave të lojtarëve të tij. Pavarësisht humorit, ai ishte një figurë e hekurt dhe shpesh kishte konflikte me figura të ndryshme të botës së sportit.

 

Gradualisht nisi edhe përfundimi i ciklit të Goethals në krye të Belgjikës. Në Kupën e Botës 1974 ia dolën të ndalnin Holandën e Johan Cruyff, Johan Neeskens dhe Ruud Krol. Një sukses personal për trajnerin, i cili në vitin 1976 pa Belgjikën e tij të pësonte 5 gola nga “Tulipanët”. Koha për të ikur nga drejtimi i kombëtares së tij.

Anderlecht ishte stacioni i radhës në karrierë. Dy vite pa titull dhe Goethals nuk ia doli ta rikthente këtë trofe të rëndësishëm, por në fund mori Superkupën e Europës. Muller i theu në fund në ndeshjen e parë që nxori fitues Bayern Munich, por belgët ia kthyen reston me një triumf 4-1 në sfidën e kthimit. Franz Beckenbauer dhe Karl-Heinz Rummenigge u rikthyen duarbosh në Gjermani.

Dy vite më pas ai e fitoi sërish të njëjtin trofe, pasi mundi Liverpool. Gjithsesi në kampionat nuk po bënte mirë dhe në vitin 1979 e mbylli bashkëpunimin me Anderlecht. Bordeaux dhe Sao Paulo në Brazili ishin eksperiencat e radhës, ndërsa në vitin 1981 u rikthye në Belgjikë dhe pranoi ofertën e Standard Liege. Direkt fitoi titullin kampion, që mungonte prej 6 vitesh te skuadra e tij e re. Atë sezon shkoi në finale të Kupës së Kupave, ku u mund nga Barcelona. Gjithsesi për Standard Liege rëndësi kishte titulli kampion.

 

Lavdi personale dhe hakmarrje ndaj Anderlecht, ish-klubit të tij. Gjërat shkuan mirë edhe në sezonin pasardhës, duke fituar sërish titullin kampion. Gjithashtu Goethals mori edhe dy Superkupa, duke e rritur lavdinë e tij në krye të Standard Liege. Kthesa erdhi në vitin 1984, kur emri i tij u njollos. Prokurori Guy Bellemans po zhvillonte një hetim për korrupsionin në futbollin belg dhe gjeti prova që përfshinte Goethals dhe klubin e tij.

Bëhej fjalë për ndeshjen e fundit të kampionatit në sezonin 1981/82, kundër Thor Waterschei. Standard Liege kishte dy pikë më shumë se Anderlecht, por kishin në program finalen me Barcelonën pranë. Synohej me dëshpërim titulli kampion, por nga ana tjetër duhej ruajtur skuadra edhe për sfidën kundër katalanasve. Vetë trajneri dha ryshfetin. Futbollistët hoqën dorë nga shpërblimi, vetëm që të merrnin një fitore të lehtë. Ky ishte një skandal që tronditi futbollin belg.

Standard Liege u gjobit vetëm me 75 mijë sterlina. Titulli nuk iu hoq, ndërkohë që Goethals u dënua të mos drejtonte përjetë në Belgjikë. Pas apelimit dënimi u bë 2-vjeçar. Gjithsesi ai vazhdoi të punojë, teksa drejtoi Vitória Guimaraes në Portugali dhe vetëm pas një viti u rikthye në vendlindje pa i mbaruar dënimi. Racing Jet Brussels ishte skuadra e radhës dhe Goethals u regjistrua si drejtues klubi dhe me njohurit e tij e ndihmoi klubin belg të ngjitej menjëherë në elitë.

 

RSC Anderlecht – Edi Krncevic – Jacky Munaron – Raymond Goethals

Me përfundimin e dënimit, Anderlecht e riktheu në pankinë dhe fitoi me ta Kupën në vitin 1988. Më pas ishte radha e Bordeaux për t’ia besuar sërish drejtimin e skuadrës dhe doli në vend të dytë në Ligue 1. Goethals kishte nisur ngjitjen sërish dhe skandali dukej një histori e së shkuarës. Marseille e kishte parë me kujdes belgun dhe i dha drejtimin e skuadrës me synimin e qartë: fitimin e Champions League.

Sbedi Pele, Chris Waddle, Jean-Pierre Papin dhe Eric Cantona ishin pjesë e ekipit të Goethals, i cili njihej për karakterin e fortë. Problemet me Cantona nuk munguan dhe sulmuesi u largua pas një viti nga francezët. Në sezonin e tij të parë ai shkoi shumë pranë fitimit të European Cup (kështu quhej Champions league atëherë), por humbi në finale kundër Crvena Zvezda. Sërish dështoi ta fitonte këtë trofe, por triumfi në kampionat në dy sezone radhazi bëri që drejtuesit të mos e largonin.

Durimi i tyre u shpërblye në sezonin 1992/1993 dhe në fakt Goethals nuk kishte justifikime, pasi ishin shpenzuar shumë para për të blerë lojtarë si Rudi Voller, Marcel Desailly, Fabien Barthez, Alen Boksic dhe kapiteni Didier Deschamps. U arrit finalja e dytë në tre vite dhe këtë herë Marseille ia doli kundër një Milani që kishte në fushë Paolo Maldini, Franco Baresi, Alessandro Costacurta, Frank Rijkaard dhe Marco van Basten.

 

Goethals e kishte ngritur kurthin, me një vendosje 5-2-3 dhe mbrojtësin Basile Boli si spastrues. Një gol i tij në fundin e pjesës së parë i dha fitoren skuadrës franceze. Belgu ishte mjeshtër në prapavijë dhe nuk u dha mundësi kuqezinjve të shënonin. Festa ishte në fund e tëra për Marseille dhe trajneri belg festoi ndryshe. Ju drejtua hotelit dhe në tarracë shkoi dhe konsumoi cigare, si zakonisht. Ky ishte edhe një nga veset e tij. E pamundur ta shihje Goethals pa cigare në dorë. Sigurisht ky sukses i dha edhe çmimin “Trajneri i Vitit”.

Triumfi në Champions League mund të shikohej si një histori me fund të lumtur, por pllaka ndryshoi si me magji. Christophe Robert, kapiteni i Valenciennes, zbuloi para gjykatësit Eric de Montgolfier se kishte marrë pjesë në një trukim ndeshjeje dhe bëhej fjalë për përballjen me Marseille, sërish e fundit e kampionatit. Gjithçka ishte organizuar nga Bernard Tapie, në ndeshjen e fundit të kampionatit, 6 ditë para finales me Milanin. Ai, në bashkëpunim me Jean-Pierre Bernes, i cili ishte menaxher i përgjithshëm i Marseille, organizoi gjithçka me lojtarin e kampionëve, Jean-Jacques Eydelie.

 

Ky i fundit kontaktoi kapitenin e Valenciennes përmes shokut të tij, Jorge Burruchaga, dhe i kërkoi t’i linin ndeshjen dhe të ishin të kujdesshëm, në mënyrë që asnjë lojtar i Marseille të mos dëmtohej para finales me kuqezinjtë. Jacques Glassman ishte gjithashtu i pranishëm kur u bë i gjithë diskutimi, por nuk u bë pjesë e trukimit. Madje ai vuri në dijeni trajnerin Boro Primac, i cili më pas i bëri presion kapitenit Robert që të pranonte pjesëmarrjen e tij në skandal.

Dënimet ishin të ashpra, Marseille u përjashtua në sezonin pasardhës nga kupat e Europës, ju hoq titulli kampion dhe u rrëzua një kategori më poshtë. Gjithsesi Champions League i vitit 1993 u mbeti atyre. Tapie dhe Eydelie përfunduan në burg, kurse Robert, Burruchaga dhe Bernes u dënuan me kusht. Asokohe pati edhe të tjetra deklarata, si ajo e Gennadi Kostylev, trajneri i CSKA, që zbuloi se drejtues të Marseille kishin provuar të jepnin para që të fitonin.

Pavarësisht se gjithçka dukej e bërë si në Belgjikë, këtë herë Goethals nuk ishte i përfshirë. Fati deshi që ai të ishte në një pozicion të tillë dhe këtë herë nuk mund ta dënonin më. Ia kishte arritur qëllimit me Marseille dhe emri i tij sot e kësaj dite ka mbetur në historinë e futbollit francez. /(VLADIMIR PRENGA – abcnews.al )