Trajneri i ekipit kombëtar U-21, Alban Bushi doli të hënën në një konferencë për mediat ku foli për kualifikueset e Europianit 2025 dhe analizoi skuadrën e tij në këto eliminatore. Tekniku kuqezi e konsideroi sukses grumbullimin e 16 pikëve përgjatë këtij edicioni si edhe kalimin e shumë elementëve nën-21 vjeçarë tek ekipi kombëtar A.

Ndër të tjera, trajneri Bushi foli edhe për të ardhmen e tij dhe të ekipit Shpresa, duke nënvizuar se kjo skuadër do të jetë në çdo sezon favorite për t’u kualifikuar.

Trajneri kuqezi vlerësoi edhe punën e bërë nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare dhe Drejtoria Teknike e FSHF-së, ndërsa komentoi me nota shumë pozitive kandidaturën e përbashkët të FSHF  me Federatën Serbe për të organizuar kampionatin e U-21 në 2027, duke thënë se Shqipëria përfiton shumë nga ky kampionat.

Edicioni kualifikues “EURO 2025” – Nuk mund të them që pritshmëritë ishin më të mëdha. Patjetër që ne bëmë mirë këtë edicion. Ishte edicion emocionues dhe ka pasur shumë surpriza. Kundërshtarët ishin shumë të fortë, grupi ka qenë shumë i ekuilibruar dhe e mbyllëm në vendin e katërt. E nisëm mirë me dy fitore në  Armeni dhe me Rumaninë. Pas këtyre fitoreve u rritën më shumë shpresat për kualifikim, por gjithsesi ne e dinim që do të ishte e vështirë. E mbyllëm mirë edicionin me dy fitore, por nuk patëm vazhdimësi gjatë saj . Për t’u kualifikuar duhet të kesh vazhdimësi dhe kjo vjen nga grupi i lojtarëve që ke. Nuk është se kemi pasur një grup të gjërë lojtarësh cilësor. Kemi pasur pak, pjesa tjetër ka qenë plotësuese për ekipin. Ndërsa kundërshtarët si Zvicra apo Rumania janë në nivel të jashtëzakonshëm përsa i përket grupit të lojtarëve, kjo bëri dhe diferencën në fund. Në mes të edicionit na kanë penalizuar shumë gjëra, si largimi i disa lojtarëve te ekipi A dhe dëmtimi i tyre. Cristian Shpendi na ka prishur shumë punë, u dënua tre ndeshje nga kartoni i kuq dhe nuk ishte për ndeshjen me Malin e Zi që na ka ngelur pishman sepse sot do të ishim të dytët.

Lojtarët e ftuar nga ekipi Kombëtar A – Kombëtarja A ka gjithmonë prioritet për të marrë çdo lojtarë nga ekipi U-21 dhe kualifikimi jonë shkon nga kjo rrugë. Ekipet e tjera si Zvicra, Finlanda dhe Rumania i marrin lojtarët më të mirë dhe i zbresin poshtë. Kemi rastin e Zvicrës që mori Ardon Jasharin dhe një tjetër për të na mundur ne. Ndërsa te ne funksionon ndryshe pasi Shqipëria është një ekip modest që ka bërë shumë hapa gjigant në futboll vitet e fundit si ekipi A dhe shpresat. Ju e dinit shumë mirë që deri dje vendin e fundit dhe të parafundit e kishim të sigurt dhe pas ndeshjes së tretë humbte çdo shpresë për t’u kualifikuar, ndërsa tashmë janë rritur objektivat dhe kjo falës punës të bërë mirë nga Drejtoria e ekipeve Kombëtare, nga skautët tanë në Europë dhe të gjithë stafet. Tani kemi pretendime për të mundur ekipe si Zvicra, Rumania dhe Finlanda që është një diferencë shumë e madhe. Ekipi A ka marrë shumë lojtarë nga ne dhe mbase na ka penalizuar. Mund të them rastin në ndeshjen me Malin e Zi që kishim shumë nevojë për lojtarë, pasi nuk kishim të drejtë ndërrimi dhe na u donte shumë Medon Berisha, por ekipi A kishte dy ndeshje miqësore me Suedinë dhe Kilin. Na penalizoi sepse mund të fitonim atë ndeshje dhe e humbëm në minutën e 92-të. Ai tre pikësh ishte determinant për vendin e dytë.

Çfarë përfituat nga këto kualifikuese? – Objektivi brenda Federatës nuk ka qenë kualifikimi. Në bisedat me drejtorin kemi thënë që duhet të zëmë vend sa më të mirë dhe të sjellim lojtarë për ekipin A. S’mund të jesh i çmendur dhe të thuash që do dalësh në vend të 1, me ekipe si Zvicra, Finlanda, Rumania. Por kemi bërë mirë, duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje. Duke pasur dhe strategjinë tonë. Unë jam i mendimit se një trajner i një ekipi kombëtar nuk duhet vëtëm të marrë 3 pikë, por duhet t’i mësojë, sepse ata janë në moshë të re, t’i mësojë të luajnë bukur. Para ndeshjes me Armeninë, por edhe ndeshjet e tjera, u kam thënë djemvë që nuk e dua një 3-pikësh me lojë të keqe, sepse nuk na bën punë. Ne jemi ekip kombëtar, duhet të luajmë bukur, t’ia tregojmë publikut këtë, sidomos me kundërshtarë të nivelit tonë. Por edhe me kundërshtarë si Zvicra apo Rumania, duhet t’i bëjmë 5-6 aksione të mira në pjesë të parë dhe 5-6 aksione të mira në pjesë të dytë, sepse nëse nuk bëhen këto, lojtarët nuk rriten, nuk zhvillohen për të shkuar te ekipi A. Unë besoj që të gjithë lojtarët që ka marrë ekipi A,  Berisha, Pajaziti, Fetai, Bajrami, Simoni, besoj se kanë marrë eksperiencë shumë të mirë të U 21-shi. Jemi munduar t’u japim maksimumin ne si staf, që kur të shkojnë te ekipi I parë të luajnë lirshëm, pa frikë dhe emocione, Duket kjo gjë, ata janë lojtarë shumë të mirë, Berisha, Fetai, Pajaziti kanë potencial shumë të madh. Por objektivi kryesor ka qenë sjellja e lojtarëve të ekipi A.

A keni një projeksion se çfarë lojtarësh mund t’ju vijnë tek U-21? -Pyetje me vend, sepse ka qenë e vështirë. Shqipëria ka kaluar një tranzicion të madh dhe mungon futbolli i rrugës dhe kur mungon ai s’mund të kesh shumë pritshmëri. Federata ka bërë shumë për futbollin e fëmijëve në Shqipëri, ka bërë fusha, por nëse s’ke pas pallatit një fushë ku mund të luash 2 kundër 2 apo 3 kundër 3 je shumë larg futbollit. Shqipëria potencialin më të madh e ka nga jashtë, sepse mungon futbolli i rrugës. Mbase jo vetëm te ne, kudo në botë, përveçse ndoshta në vendet latine. Në Europë mungon dhe shihet edhe te cilësia e lojtarëve, ku kemi 2-3 ekipe të forta dhe të tjerat janë pak a shumë në një nivel. E kemi pasur të vështirë, por falë Zotit ka shumë shqiptarë jashtë që stërviten. Skautët tanë bëjnë një punë sh të mirë, Federata po ashtu. Presim të rritet edhe kampionati shqiptar, i cili lë për të dëshiruar, sidomos përsa i përket akademive. Akademia është një burim financiar dhe e mban ekipin në nivel të lartë. Se di pse nuk punojnë siç duhet me akademitë, me trajnerë të mirë. Nuk do e kuptoj kurrë, pasi janë ekipe shumë të mëdha, me shumë emër në Shqipëri dhe akademitë lënë për të dëshiruar. Ti s’mund të vish te U 21-shi dhe si mbrojtës nuk di të vendosesh në linjë. Nëse vjen te U 21-shi mëson gjëra specifike, si të sulmosh kundërshtarin, por jo për të mesuar si të rrish në linjë, pasi këto duhen mësuar te klubet që ata luajnë. Lë shumë për të dëshiruar kampionati ë fëmijëve, në sajë të klubeve.

I kënaqur me rekordin e pikëve që keni arritur në këto kualifikuese? – Ndihem mirë, pavarësisht se objektivat nuk kanë qenë pikët dhe nuk ka qenë kualifikimi. Ne vetë si staf duam të kualifikohemi. Atë mentalitet i japim edhe ekipit sapo ata vijnë në grumbullim. Ne duhet të kualifikohemi, të fitojmë, të luajmë mirë e bukur. Pikët janë dytësore. Sigurisht që ndihem mirë sepse janë 16 pikë, nuk janë pak, pasi kemi luajtur me kundërshtarë shumë të fortë. Mendoj që jemi në rrugë të mirë. Duhet ta marrim hap pas hapi për të arritur lart. Nuk mund të shkojmë nga vendi i fundit në vend të parë. Kundërshtari është me vite më larg se ty dhe nuk mund ta kalosh menjëherë. Edhe fati ndonjëherë nuk na ndihmon, sepse kundërshtari ka bërë më shumë se ne. Zvicra ka punuar më shumë se ne, Finlanda dhe Rumania gjithashtu. Mund të them shumë mirë që ndaj Finlandës e dominuam ndeshjen dhe mund të shënonim me Pajazitin dhe të merrnim tre pikët. Edhe ndaj Malit të Zi mund të fitonim sepse e dominuam të gjithë lojën. Janë këto pikë që ne mund të renditeshim më lart. Gjëra të vogla po ndonjëherë fati shkon me të tjerët sepse kanë punuar dhe kanë qenë më shumë të përqëndruar se ty. Futbolli prandaj është i bukur sepse çdo javë e harron ndeshjen që ke luajtur dhe duhet të bësh më mirë ndeshjen tjetër. Prandaj është edhe emocionues dhe ka surpriza.

Referuar kontigjentit që ka ekipi U-21, a ka ardhur momenti që të jemi në lartësinë e ekipit A? – Pavarësisht se në letër ne nuk jemi favoritë, unë e them me bindje që ne do jemi çdo sezon favoritë për t’u kualifikuar. Sepse kur jemi bashkë, kur bëjmë maksimumin, kur ndihmojmë njëri-tjetrin me dy-tre kualitete siç i kemi pasur këtë radhë, Berishën, Rexhepin, Bajramin, Pajazitin dhe të tjerët që i ndihmojnë këta, mund të bësh gjëra të mëdha. Futbolli, pavarësisht se ata janë vite larg me ne, në kuptimin e organizimit dhe financave, tani çdo trajner lexon dhe studion se si ta kapë kundërshtarin, ku të mbrohet. Është i thjeshtë nëse ti i bën gjërat mirë. Siç goditëm këtu Rumaninë apo Zvicrën jashtë. Mendoj që duhet të jemi me këtë mentalitet, gjithmonë për të qenë në vend të parë dhe për të mundur më të fortët dhe më të dobëtit. Por duhet të dimë edhe se nga vijmë, çfarë kemi dhe si jemi. Mos të marrim kot.

Kush nga lojtarët do të ketë një karrierë të mirë me Kombëtaren A? – Feta Fetai dua të them që është një lojtar që i duhet çdo trajneri dhe mbase nuk është lojtar i bukur për t’u parë në kuptimin që mund të bëjë gola, por është një lojtar që i duhet çdo trajneri në nivele të larta. Gjithashtu, Pajaziti është një lojtar i jashtëzakonshëm me shumë potencial, ka shumë vizion për lojën dhe i mungon vetëm përgatitja fizike që e ka rritur shumë vitin e fundit. Po ashtu, Medon Berisha është lojtar i nivelit shumë të mirë, vendos ekuilibër në mesfushë. Gjithashtu edhe Bajrami, qendërmbrojtës i majtë shumë i mirë dhe pres shumë nga ai. Duhet të shkojë në një ekip që të marri minuta. Është shumë inteligjent, i mirë me topin dhe luftën në ajër e ka shumë të mirë. Janë lojtarë që mund të jenë shumë të fortë për Shqipërinë. Nga më të mirët mendoj që Fetai, pasi ka energji shumë pozitive është shumë i mirë dhe mendoj që do të bëjë shumë mirë.

A do të vazhdojë Bushi të jetë trajner i U-21? – Për momentin nuk kemi folur për të ardhmen. Thjesht kontrata është deri në dhjetor. Ne vazhdojmë punën deri ditën që kemi kontratën dhe po përgatisim datëlindjet 2004-2005. Nuk kemi folur as me drejtorin. Kemi dy ndeshje në nëntor dhe janë datëlindje 2004-2005, jemi munduar të zgjedhim lojtarët më të mirë sepse është vështirë për një ekip modest si Shqipëria të ndërtojë një shumë shpejt sidomos si ekip U-21. Në krahasim me ekipet tjera si Zvicra psh, që ka U-20 dhe në momentin që mbaron koha e U-21, trajneri i U-21 merr 20 lojtarë nga U-20, të cilët kanë dy vite që luajnë bashkë, apo edhe Finlanda dhe Rumania. Shqipëria ndërkohë e ka të vështirë sepse duhet të gjejë lojtarë t’i bashkojë dhe t’i mbledhë. Por vitet e fundit është bërë një punë shumë e mirë nga Departamenti i Ekipeve Kombëtare me të gjitha moshat dhe mendoj se tani është më ndryshe se ç’ka qenë. Ka më shumë futbollistë dhe akademia e ndërtuar nga FSHF me lojtarët 12-vjeçarë është një projekt shumë i bukur, të cilët rrinë në një hotel dhe stërviten e luajnë bashkë. Atë që bëri Gjeorgjia me grupin e mirë që ka, po e bën tani Shqipëria. Dhe mendoj që në të ardhmen Shqipëria do të jetë shumë e fortë sepse shoh punën që po bëhet me ekipet e moshave.

Organizimi i Kampionatit Europian U-21 në vitin 2027 në Shqipëri- Me duket zgjedhje shumë e mirë, sepse është gjëja më e bukur që i ka ndodhur ndonjëherë Shqipërisë, të organizojë kampionatin europian, nëse vendoset të bëhet. Nuk më intereson me kë bëhet, me Serbinë apo Slloveninë. Më intereson nga ana sportive, është diçka jashtëzakonisht e madhe, siç ishte dhe finalja e Conference League. Nuk i di të gjitha detajet, por është kampionat europian dhe Shqipëria ka shumë përfitime. /FSHF