Një grua dhe dy fëmijë u raportuan të vdekur në Florida të shtunën pasi një tren pasagjerësh që udhëtonte nga Miami për në New York City goditi një automjet, raportuan autoritetet lokale.
Tri viktimat, gruaja dhe dy fëmijët ishin pasagjerë në veturën e goditur nga treni, e cila u dëmtua shumë. Sipas autoriteteve, asnjëri nga pasagjerët e trenit nuk ka pësuar lëndime në këtë aksident. Raportohet se treni e ka shtyrë veturën e goditur për 800 metra para se të ndalej te një shenjë komunikacioni.
Kryqëzimi ku ndodhi aksidenti nuk kishte barrierë për vetura, ndonëse në rrugë kishte shenja që tregonin për kryqëzimin me binarët.
Earl Megonigal, operator i stacioneve kontrolluese, tha se aksidentet e mëparshme mes trenave dhe veturave kanë bërë që banorët ta kërkojnë vendosjen e barrierave. “Të gjithë kanë kërkuar për disa vjet barrierë. Është rrezik këtu. Trenat kalojnë me shpejtësi të madhe”, tha ai.
Për shkak të këtij aksidenti, treni u vonua për 3 orë e 45 minuta, shkruan “Fox News”./abcnews.al