Tragjedia ruse në Kavajë, analiza e ujit të pishinës çohet në laborator privat

schedule15:28 - 25 Tetor, 2021

schedule 15:28 - 25 Tetor, 2021

Nga Ermal Vija

10 ditë nga vdekja e katër rusëve në  një hotel në Qerret të Kavajës, prokuroria nuk ka marrë ende një përgjigje për nivelin e klorit  të ujit të pishinës ku ata u gjetën të pa jetë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, tashmë kampionët e ujit janë dërguar në një laborator privat.

Pak ditë më parë, prokuroria dorëzoi mostrat e ujit pranë institutit të shëndetit publik, por këta të fundit  nuk pranuan të kryenin analizat me arsyetimin se nuk ishin marrë në formën e duhur. Po kështu edhe Instituti i mjekësisë ligjore, nuk ka ende një përgjigje sa i takon shkakut që solli vdekjen e katër turistëve që po qëndronin në ambientet e brendshme të pishinës në resortin “Gloria Palace”.

Deri më tani hetuesit dyshojnë se vdekja në të njëjtën kohë e katër familjarëve të ketë ardhur si pasojë e asfiksisë nga çlirimi në atmosferë i klorit që është përdorur  për pastrimin e pishinës. Gjithashtu kanë dyshime se nuk mund të ketë funksionuar sistemi i ventilimit të pishinës, çka ka sjellë edhe mbingarkesën e ajrit duke shkaktuar edhe vdekjen. Trupat e pa jetë të Sergei e Natali Burenkova, vajzës së tyre Eketarina dhe dhëndrit Nikita Belousov u transportuan të premten drejt Rusisë, ndërsa autoritete atje kanë njoftuar se do kryejnë një akt-ekspertim mbi shkakun e vdekjes./ Abcnews.al