Pas tragjedisë që ndodhi gjatë festës së Vitit të Ri në resortin luksoz të skive Crans-Montana, ku 47 persona humbën jetën dhe mbi 115 mbetën të plagosur, autoritetet zvicerane kanë nisur procesin e vështirë të identifikimit të trupave. Djegiet e rënda e bëjnë këtë detyrë të ndërlikuar.
Kryetari i bashkisë së Crans-Montana, Nicolas Feraud, deklaroi se “objektivi i parë është t’u japim emra të gjitha trupave”, duke paralajmëruar se procesi mund të zgjasë disa ditë. Ekspertët po përdorin mostra dentare dhe ADN-je për të siguruar identifikim të saktë, ndërsa familjet e të rinjve të zhdukur presin me ankth lajme për të afërmit e tyre.
Ndërkohë, polemikat vazhdojnë rreth barit “Le Constellation”, që sipas mediave zvicerane, kishte marrë një vlerësim sigurie prej vetëm 6.5 në 10. Mangësitë e evidentuara përfshinin një dalje të vetme emergjence, mobilim me elementë druri dhe një zonë të veçantë për duhanpirësit, faktorë që sot shihen si kritike. Një video promovuese e diskutueshme në YouTube tregonte festa me shishe shampanje dhe fishekzjarre të ndezur brenda lokalit, duke ngritur dyshime mbi shkaqet e zjarrit.

Bari “reklamonte festa me fishekzjarre të ndezur mbi shishe shampanje, me shenja mangësish në aspektin e sigurisë, si një dalje e vetme emergjence dhe materiale të ndezshme që ngrejnë pikëpyetje”, shkruan Blick, duke cituar edhe video të xhiruara në lokal para tragjedisë, të cilat ushqejnë “spekulimet mbi shkakun e zjarrit”.
Dëshmitë e të mbijetuarve sugjerojnë se flakët u përhapën shumë shpejt, ndoshta pasi qirinjtë dekorativë prekën tavanin e bodrumit. Autoritetet kanë deklaruar se zjarri duket të ketë qenë aksident dhe jo sulm i qëllimshëm.
Komuniteti lokal është i tronditur. Qindra persona u mblodhën pranë vendngjarjes për të nderuar viktimat, duke vendosur lule dhe ndezur qirinj. “Mendon se je i sigurt këtu, por kjo mund të ndodhë kudo. Ishin njerëz si ne,” tha Piermarco Pani, 18 vjeç, i cili e njihte mirë barin.
Tragjedia në “Le Constellation” ka hapur një debat të gjerë mbi standardet e sigurisë në lokalet e natës në Zvicër, ndërsa autoritetet premtojnë hetime të plota dhe masa të reja për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla. / abcnews.al /


