Mesditën e sotme një tragjedi ndodhi në plazhin Vilë- Boshtovë, ku u mbytën babai me dy djemtë e mitur.
Familja nga Tirana kishte zgjedhur që fundjavën ta kalonte në këtë bregdet, por ky gëzim u kthye në tragjedi.
ABC ka marrë dëshmitë e disa prej dëshmitarëve të kësaj ngjarje të rëndë. Një prej tyre thotë se ishin pushuesit e tjerë që u futën në det për të nxjerrë trupat në breg dhe më pas kush mundi i bëri dhe masazh.
Ai shton se i thanë që është dhënë sinjal i kuq, por ata nuk kanë kuptuar asgjë, vetëm kur e panë situatën me sy të lirë.
“Një moment që një person me kajake po bërtiste dhe po tentonte të dilte. Disa nga ne pamë që nuk shkonte gjë dhe u futëm. Ai u afrua ne u futëm, pamë që kishte 3 persona të shtrir. I kapëm i nxorrën në breg dhe kush mundi i bënë mesazh.
Morëm vesh me mbrapa që është dhënë sinjali i kuq, këtu nuk mori vesh njeri që cfar sinjali kishte, e çfar rreziku kishte, vetëm çfar shihnim me sy” tha një prej dëshmitarëve.
Një dëshmitare tjetër tha se në momentin që trupat u nxorën në breg, dy djemtë e mitur dhanë shpresë duke reaguar fillimisht, ndërsa babai ishte i pashpresë.
Ajo thotë po ashtu se duhet të ketë roje dhe vijë kufizuese për këdo që hynë në det.
“Ne nuk po e kuptonim se çfarë po ngjante kur po vinin. Menduam se mos ishte një, kur thanë janë dy janë tre, mbetëm të shokuar. Dy djemtë e vegjël na dhanë shpresë së po reagonin nga masazhet, ndërsa i ati që në fillim ishte i pashpresë.
Jo vetëm roje, por edhe një vijë kufizuese duhet të jetë për këdo që hynë në det, deri ku është e lejueshme të përdoret nga ne pushuesit” tha dëshmitarja.
Gjithashtu një tjetër dëshmitar tregon se u mblodhën shumë veta që u munduan të bënin më të mirën, mes tyre ishte dhe një infermiere, por pa rezultat.
“Nuk isha vetëm, ishin shumë njerëz, ishte dhe një infermiere. Kishte shumë njerëz dhe u munduan të gjithë, ata që dinin. U munduam të japim maksimumin tonë” tha ai.
Sipas një tjetër dëshmitari, i cili ka dy javë në plazh, nuk ka parë as roje plazhi, as mjekë, as forca rendi, asgjë që mund të japi ndihmën e parë.
“E kam parë nga larg që u mblodhën njerëzit. Kam dy javë në plazh, unë nuk kam parë as roje ose vëzhgues, as mjekë, as forca të rendit. Asnjë gjë nuk ka që të jepet ndihma e shpejtë” u shpreh ai.r.t/abcnews.al