Rrëfimi i dhimbshëm i gruas së minatorit: Burri mblidhte lule përpara! Tani s’kam bukë për fëmijët

schedule10:00 - 30 Tetor, 2020

schedule 10:00 - 30 Tetor, 2020

Dramë në Dibër. Nëntoka u mori jetën dy minatorëve dhe një inxhinieri. Tragjedia goditi familjet Hoxha, Cesku dhe Rushiti. Gruaja e Rexhep Rushitit tregon për Abc News se bashkëshorti kishte vetëm tre javë që kishte filluar punë në minierë. Mes lotësh, ajo thotë se burri ishte i vetmi që punonte në familje dhe se tani nuk kanë me çfarë të ushqehen.

Kam fëmijët e vegjël. Burri ka tre javë që ka punuar dhe si kishte marrë lekët. Jam jetime. Nuk kam bukë sonte në shtëpi. Ju kërkoj ndihmë që të më ndihmoni se kam tre fëmijët në shkollë. Pa punë jam. Jam 29-vjeçe. Fëmijët i kam 7, 8 dhe 9 vjeç.

Burri më parë mblidhte lule në mal tre muaj e verës. Në minierë punonte prej 3 javësh. Tani më la, nuk kam asnjë të ardhur asgjë. Nga shteti nuk kam asgjë. Kërkoj ndihmë prej bashkisë dhe kush të jetë, kam tre fëmijë të vegjël” tha ajo për gazetarin e Abc News Xhevahir Zhabina. Një apel për shtetin e kishte edhe motra e viktimës. “Tre fëmijët kanë nevojë për ndihmë, ne jemi për vete shumë keq”.

Një fqinj i viktimave tregoi për Abc News gjendjen e rrënuar të familjeve. “Jetesa e tyre është në fund. Ruzhdiu gjithë verës mblidhte bimë medicinale në mal për të mbajtur fëmijët me bukë, tani filloi punë atje, kalamajtë i la jetimë.

Ka tre fëmijë. Edhe Fatosin e njoh, ai ka një djalë 19-vjeç, një vajzë të martuar edhe ai si Ruzhdiu” tha ai. Trupat e inxhinierit Ismail Hoxha, dhe dy punonjësve Fatos Ceskut dhe Rexhep Rushitit u nxorën sot nga miniera e Balgjajt në fshatin Selishtë të Peshkopisë./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!