Dy pista hetimi janë ngritur në lidhje me aksidentin e ndodhur në aksin Tetovë-Shkup, ku humbën jetën 14 persona. Prokuroria e Shkupit ka bërë me dije se po ndjek atë të defektit teknik dhe atë të gabimit njerëzor, për të cilën ka marrë në pyetje edhe shoferin e autobusit.
Prokuroria Themelore e Shkupit, që po kryen hetimet mbi aksidentin e së mërkurës në aksin Tetovë-Shkup po ndjek dy pista. Përveç asaj të një gabimi njerëzor, hetuesit kanë kërkuar edhe një kontroll teknik për autobusin, për të verifikuar nëse mjeti ka patur defekte. Sipas mediave maqedonase, kontrolli do të kryhet nga ekspertët e Fakultetit të Makinerisë.
Lidhur me pistën e parë, prokuroria ka deklaruar se drejtuesi i autobusit, Manoil Trifunovski nuk ishte në gjendje të dehur në momentin e tragjedisë. Në një komunikatë për shtyp thuhet se, analizat e gjakut kanë treguar se drejtuesi nuk kishte konsumuar alkool, barna apo substanca të tjera psikotrope.
Gjithashtu, me kërkesë të prokurorisë do të bëhet edhe zbardhja e tabulatëve të telefonit të shoferit, për të verifikuar nëse në momentin e aksidentit ai ishte duke përdorur celularin e tij. Menjëherë pas aksidentit, drejtuesi i autobusit u shtrua në spital ku mori mjekimet e nevojshme dhe ditën e enjte ka dalë për t’u kuruar në ambjente shtëpiake.
Ai u mor në pyetje nga prokurorët dhe mësohet të jetë shprehur se nuk mban mend detaje nga moment i rrëzimit të autobusit. Sa i takon pistës së dytë, lidhur me njoftimin e organit të akuzës ka reaguar kompania që zotëron autobusin, e cila ka saktësuar se mjeti është prodhuar në vitin 2001, i është nënshtruar rregullisht kontrolleve teknike dhe se hera e fundit ka qenë muajin e kaluar./abcnews.al