Tragjedia ndjek familjen nga Roskoveci, 10 vjet më parë humbi një tjetër djalë në ujërat e Semanit

schedule11:22 - 11 Gusht, 2022

schedule 11:22 - 11 Gusht, 2022

Polumbarët e RENEA-s kanë gjetur më në fund trupin e 14-vjeçarit që u zhduk teksa lahej në lumin Seman gjatë ditës së djeshme. Familjarët njoftuan mungesën e tij disa orë pasi humbi në ujërat e lumit, ndërkohë që u deshën gati 24 orë për të gjetur trupin e pajetë.

Ai kishte shkuar për të peshkuar në Seman dhe dyshohet se është mbytur gjatë larjes në ujërat e lumit.

Fillimisht policia gjeti rrobat e tij në anë të lumit dhe vetëm pak minuta më parë gjetën edhe trupin e pajetë në ujë.

Ajo që e bën edhe më të dhimbshme këtë vdekje ka të bëjë me faktin se 10 vjet më parë, në të njëjtin vend 14-vjeçari ka humbur edhe vëllanë e tij. Ky i fundit po ashtu u fut për t’u larë në lum dhe humbi jetën.

Duke folur për ABC, fqinjët rrëfejnë se familja është në kushtë të rënda ekonomike dhe më herët kanë humbur edhe babanë prej koronavirusit. 

“Janë shumë hallexhinj, në punë dhe hall të tyre. Babai i ka lënë ka 4 vjet. Edhe një vëlla i është mbytur para 10 vitesh këtu. Këta me ndihmë ekonomike rrojnë, tani ia kanë ndërprerë fare. Kanaçe mblidhnin. Shumë çun i mirë ishte djali. E shikoja që gjuante këtu peshk. Nuk e kanë gjetur ende, do ta ketë marrë rryma.”

“Familje e mirë dhe punëtore, fukarenj. Ai çuni punoi disa ditë te unë, ishte djalë i mirë, i zgjuar dhe punëtor. Ka qepë duke kapur peshk. Do ketë rënë ose mund të jetë hedhur për tu larë, ai e di. Duhet që shteti të vejë dorë në këtë familje se janë më të varfrit. Nuk ngopin dot barkun me bukë. Kjo familja është më e varfra në zonë. Merrnin më parë ndihmë nga shteti, por tani nuk marrin.”

Njoftimi i policisë

Fier

Në vijim të informacionit paraprak të ditës së djeshme, për një 14-vjeçar që ishte futur për tu larë në lumin Seman, ju bëjmë me dije se pas kërkimeve nga shërbimet e Stacionit të Policisë Roskovec dhe polumbarët e RENEA-s, sot rreth orës 10:40, u bë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së mbytur, shtetasit E. S., 14 vjeç.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.