Tragjedia me 72 viktima/ Zbulohet shkaku i zjarrit vdekjeprurës në “Grenfell Tower” në Londër

schedule11:46 - 4 Shtator, 2024

schedule 11:46 - 4 Shtator, 2024

Ka përfunduar hetimi shumëvjeçar për shkakun e tragjedisë në Kullën Grenfell në perëndim të Londrës, ku 72 persona humbën jetën si pasojë e zjarrit.

Zjarri shpërtheu në orët e para të mëngjësit të 14 qershorit 2017 në pallatin 24-katësh, i cili u përhap nga kati i katër dhe më pas përfshiu katet e tjera brenda 14 minutave.

Një raport i mëparshëm i grupit hetimor në vitin 2019, zbuloi se një defekt elektrik në një frigorifer në një banesë të katit të katërt, shkaktoi zjarrin. Por përhapja e shpejtë e zjarrit nga konstatimi i fazës së parë të të njëjtit hetim i atribuohet izolimit joadekuat të objektit. Veshja e jashtme relativisht e lirë, e përbërë nga një material i djegshëm, ishte instaluar disa kohë përpara zjarrit.

Raporti i komisionit të drejtuar nga ish-gjyqtari Sir Martin Moore-Bick tashmë u është dhënë të mbijetuarve dhe të afërmve të viktimave, të cilët bëjnë thirrje për “përgjigje dhe drejtësi”.

Zbulimi nuk ka fuqi ligjore-penale, por mund të përdoret nga Policia Metropolitane, e cila po kryen atë që është përshkruar si “hetimi më kompleks policor në historinë britanike”.

Dëshmitë u mblodhën gjatë 415 ditëve dhe ndodhen në një magazinë në Londër, në një sasi që do të mbushte 25 autobusë dykatësh.

Ndërkohë, e njëjta veshje e papërshtatshme është gjetur që atëherë në 4,613 ndërtesa të larta të Britanisë, ku puna e zëvendësimit ka filluar në më pak se gjysmën.

Policia britanike ka thënë se 58 persona dhe 19 firma dhe organizata janë nën hetim për vepra të mundshme penale. Ato mund të përfshijnë vrasje të korporatës, vrasje të rëndë nga pakujdesia, mashtrim, shkelje të sigurisë dhe sjellje të pahijshme në një zyrë publike.

Familjarët e viktimave thanë se ishin të pakënaqur që ndjekjet penale mund të ishin vonuar.

“Kjo për shkak të hetimit, të cilin ne nuk e kërkuam dhe nuk na pyetën. Zëri ynë nuk u dëgjua. Nuk na u dha zgjedhja dhe nuk i dinim pasojat dhe ndikimin në të drejtën tonë për drejtësi.” tha Hisam Choucair i cili humbi gjashtë anëtarë të familjes.

“E vetmja gjë që ka rëndësi për ata prej nesh që humbën të afërmit tanë është drejtësia,” tha Choucair, nga grupi Grenfell Next of Kin që përfaqëson familjet e 34 viktimave.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!