Tragjedia me 21 të vdekur në Itali, kryebashkiaku i Venecias shpall të mërkurën ditë zie

schedule09:00 - 4 Tetor, 2023

schedule 09:00 - 4 Tetor, 2023

E gjithë Italia është në zi pas tragjedisë në Venecia, ku humbën jetën 21 persona. Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e së hënës, kur drejtuesi i autobusit, për arsye ende të panjohura, humbi kontrollin e mjetit dhe ra nga mbikalimi.

Menjëherë autobusi është përfshirë nga flakët si pasojë e të cilit 21 persona kanë humbur jetën tragjikisht dhe 18 të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë, 4 prej të cilëve janë shtruar në spital në gjendje të rëndë.

Sipas gazetës italiane Il Gazzettino, autobusi po transportonte turistë ukrainas, gjermanë, kroatë dhe francezë në një kamping pranë Venecias.

Shoferi, sipas mediave italiane, ishte një italian, 40 vjeç, me shtatë vite përvojë profesionale dhe mësohet se ka tentuar të kontrollojë situatën, por nuk ka mundur të shmangë rënien e autobusit.

Zjarrfikësit dhe shërbimet e ndihmës së parë kanë mbërritur menjëherë në zonë. Mes të plagosurve janë të paktën dy fëmijë.

“Pashë tym kudo dhe dëgjova njerëzit që bërtisnin për ndihmë”, tha një dëshmitar okular i tragjedisë së autobusit të Venecias.

Kryetari i bashkisë së Venecias, Luigi Brugnaro, shpalli të mërkurën  ditë zie  në qytetin e tij.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!