Nëna e Matildës 10 vjeç, e cila mbeti viktimë e sulmit të përgjakshëm në Bondi Beach të Sidney, i bëri homazh vajzës së saj të martën në mbrëmje, pranë një memoriali të improvizuar me lule, mes dhimbjes dhe lotëve të qindra qytetarëve.
Duke folur përpara të pranishmëve, Valentyna tregoi se familja e saj kishte ardhur në Australi nga Ukraina më shumë se dhjetë vite më parë, me shpresën për të ndërtuar një jetë të sigurt. “Menduam se Australia do të ishte një vend i sigurt për ne”, tha ajo, ndërsa kujtonte vajzën e saj të vogël, e cila u bë simbol i pafajësisë së humbur në këtë tragjedi.
Matilda më e vogla, mes 15 personave që humbën jetën kur dy persona të armatosur hapën zjarr të dielën gjatë një aktiviteti që shënonte fillimin e festës hebraike Hanukkah, në zonën turistike të Bondi Beach. Dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike.
View this post on Instagram
Sulmi është cilësuar nga autoritetet australiane si akt terrorist dhe konsiderohet incidenti më vdekjeprurës në vend që nga masakra e Port Arthurit në vitin 1996. Kryeministri australian Anthony Albanese deklaroi se ngjarja duket se është e motivuar nga ideologjia e grupit ekstremist Shteti Islamik.
Tragjedia ka tronditur opinionin publik në Australi dhe më gjerë, ndërsa komuniteti hebre dhe autoritetet kanë kërkuar masa më të forta kundër urrejtjes dhe ekstremizmit. Qeveria australiane ka njoftuar se do të forcojë legjislacionin për të luftuar gjuhën e urrejtjes dhe antisemitizmin.
Ndërkohë, memorialet me lule, qirinj dhe mesazhe paqeje vazhdojnë të mbushin zonën e Bondi Beach, ku qytetarë të shumtë nderojnë kujtimin e viktimave, mes tyre edhe Matildën e vogël, emri i së cilës tashmë është kthyer në simbol të dhimbjes dhe thirrjes për paqe.

