Shefi i Shtabit të Ushtrisë libiane, Mohammed Ali Ahmed al-Haddad, së bashku me shtatë persona të tjerë, përfshirë zyrtarë libianë dhe pjesëtarë të ekuipazhit, kanë humbur jetën në një aksident ajror pranë kryeqytetit turk, Ankara, njoftoi kryeministri libian, Abdul Hamid Dbeibeh.
Komunikimi me aeroplanin që transportonte delegacionin libian u humb pak pas ngritjes nga Aeroporti Esenboga i Ankarasë, me destinacion Tripolin. Sipas ministrit turk të Brendshëm, Ali Yerlikaya, mbetjet e avionit janë gjetur rreth dy kilometra në jug të fshatit Kesikkavak, në rajonin Haymana.
Avioni ishte një Falcon 50 me numër 9H-DFJ dhe pak para zhdukjes nga radarët ishte bërë një kërkesë për ulje emergjente, pa mundur të ristabillohej komunikimi.
Një zyrtar turk deklaroi për Al Jazeera se hetimet e para përjashtojnë çdo sabotim, dhe shkaku i aksidentit dyshohet të jetë defekt teknik.
Al-Haddad ishte shef i Shtabit të Ushtrisë libiane që nga shtatori 2020, emëruar nga Fayez Al Serraj, dhe konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme ushtarake të qeverisë së Tripolit.
Ai kishte lidhje të ngushta me Turqinë, duke përfshirë vizita në anije lufte turke dhe marrëveshje të përbashkëta ushtarake.
Në vitin 2023 nënshkroi një marrëveshje me Italinë për trajnimin e forcave speciale libiane, ndërsa në 2024 u takua me drejtuesit e Africom për të diskutuar mbështetjen e unifikimit të ushtrisë libiane dhe forcimin e sigurisë kufitare.

