Ekspertët e mbrojtjes ajrore thonë dëmtimet e shkaktuara si brenda si jashtë avionit të një linje ajrore nga Azerbajxhani që u rrëzua një ditë më parë në Kazakistan, tregojnë se mbrojtja ajrore ruse aktive në Grozny mund të ketë shkaktuar tragjedinë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan se avioni kishte disa vrima që duket se janë shkaktuar nga gjuajtje me armë dhe jo nga një sulm i kryer nga një tufë shpendësh, siç edhe u pretendua nga Kremlini.
Azerbajxhani Airlines tha se fluturimet midis Baku dhe Grozny do të anulohen në pritje të një hetimi për incidentin. Si Azerbajxhani ashtu edhe Kazakistani kanë nisur hetimet për incidentin. Disa media ndërkombëtare që citojnë burime të brendshme nga Azerbajxhani thonë se avioni i pasagjerëve u rrëzua nga një raketë ruse ajër tokë teksa forcat e Moskës ne Ceceni përpiqeshin të rrëzonin dronë ukrainas.
Megjithatë Prokurori i Përgjithshëm i Azerbajxhanit tha se “të gjithë skenarët e mundshëm” po shqyrtoheshin, ndërsa presidenti Ilham Aliyev tha se ishte shumë herët për të thënë diçka përfundimtare.
Nga ana tjetër, qeveria ruse ka kritikuar ashpër zërat që thonë se avioniiI pasagjerëve të “Azerbajxhan Airlines” është rrëzuar nga një sulm i kryer nga trupat ushtarak të Moskës. Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov tha se është e gabuar të hidhen hipoteza të tilla.
Zyrtarët në Kazakistan thonë se është gjetur kutia e zezë e të dhënave të fluturimit tragjik që përfundoi me 38 viktima dhe 29 të mbijetuar. Udhëtarët në bord ishin ishin kryesisht shtetas të Azerbajxhanit, por kishte edhe disa pasagjerë nga Rusia, Kazakistani dhe Kirgistani./abcnews.al