Dy persona, 51 vjeç dhe 57 vjeç u arrestuan në Fier nën akuzën e trafikut të veprave të artit nga Greqia për t’i shitur në Shqipëri. Policia sekuestroi 107 vepra arti të trafikuara, ndër të cilat ikona dhe piktura të autorëve grekë dhe rumunë, shpata dhe sende të tjera me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Kryeplaku i romëve, Panajot Alushi shprehet se personat e arrestuar nuk kanë lidhje me trafikimin e veprave të artit, duke thënë se bëhet fjalë për gjëra të vjetra me vlerë të ulët. Ai thotë se Shpëtim Kalemi i arrestuar ka kaluar edhe doganën greke dhe shqiptare dhe nuk është ndaluar.
“Pa urdhër, pa pasur një shkresë për tu hapur banesa. Unë jam përfaqësuesi i fshatit. Po na sorollasin dhe marrin nëpër këmbë, edhe ministria e Drejtësisë dhe Policia e Shtetit duhet të marrë masa për shtresat në nevojë. Shpëtim Kalemin nuk e ka kaluar dogana greke dhe shqiptare, ka kaluar makinë në skaner, ka paguar edhe 260 euro, ato gjërat e vjetra që ne shesim 500. Ai po nxjerr kafshatën e bukës. Duhen marrë masa, gjërat që janë kapur në banesën e Kalemit për ne janë pa vlerë. T’i verifikojë ekspertiza se janë gjëra që shiten me 500 apo 1000 lekë.”, tha ai.