Tradhtar apo hero? Historiani: Dy Fake News-et për Esat Pashë Toptanin dhe e vërteta e vrasjes

schedule18:36 - 13 Tetor, 2020

schedule 18:36 - 13 Tetor, 2020

Debati për dekoratat mes kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta riktheu edhe njëherë në skenë Esat Pashë Toptanin, një figurë shumë e anatemuar. Por si qëndron e vërteta, është tradhtar apo hero, çfarë thonë arkivat? Studiuesi dhe historiani Hasan Bello 37-vjeç, ka publikuar një libër, botim voluminoz me 1354 faqe për jetën dhe bëmat, monografinë e Toptanit. Historiani thotë se me Esat Pashë Toptanin fillon për herë të parë historia e Fake News-eve.

Por kush e inicioi dhe përse ndodhi kjo? Historiani Hasan Bello i ftuar në studion e Abc News përballë gazetarit Endri Xhafo u shpreh se ishte Austro-Hungaria ajo që u përpoq që të diskreditonte figurën e Esat Pashës.

“Me Esat Pashë Toptanin fillon për herë të parë historia e Fake News. Austro-Hungaria duke e konsideruar si një person që nuk e kishte në kontroll fillon dhe përhap Fake News lidhur me veprimtarinë politike lidhur me qëndresën dhe dorëzimin e Shkodrës dhe qëndrimin gjatë luftës së parë Botërore në Shqipëri. Austro-Hungarezët i bëjnë presion Esatit të largonte popullsinë dhe konsullatat nga Shkodra, Esati i mbajti “peng” konsujt diplomatët dhe popullin, që të mos bombardohej qyteti nga malazezët. Nuk u bëri gjë, por nuk i la të dilnin. Në luftën e parë botërore Esati u bë me fitimtarët, Antantën” tha ai.

Por cfarë thonë arkivat? “Materiali është bruto, pa interpretim, që ta gjykojë vetë lexuesi. Esati ka një karrierë të gjatë politike. Esat Pashë Toptani është i vetmi personalitet shqiptar që ka marrë pjesë në tre luftëra, turko-greke, Ballkanike dhe luftën e parë botërore. Nuk ka asnjë personalitet tjetër shqiptar që të ketë marrë pjesë në tre luftëra. Nuk është kompleks Esati, por periudha që ka jetuar Esati” tha ai.

Lexo edhe: Zbulohet fjalimi i Esat Pashës në Parlamentin Osman: Kryengritjet dhe ngjarja e pazakontë në Shkodër

Por përse Esat Pasha qëndroi larg pavarësisë? Për historianin kjo nuk është e vërtetë. “Nuk ka qëndruar larg pavarësisë, është pjesëmarrës në janar të 1912 kur u mblodhën dhe u ndanë detyrat, mobilizoi fisin në Shqipërinë e Mesme për kryengritjen e pavarësisë. Ai ishte në mbrojtjen e Shkodrës”.

Historiani tregon se cfarë thonë arkivat për vrasjen e Hasan Riza Pashës, por i jep përgjigje edhe pyetjes se a e shiti Esat Pasha Shkodrën? “Nëse do të kishte shitur duhet ta kishim riblerë, nuk është e vërtetë. Ka vijuar qëndresën deri në 23 prill 1912. Vrasja e Hasan Riza Pashës? Kishte një plan për t’u tërhequr nga Shkodra, por Esati nuk mund të tërhiqej se xhonturqit e kishin dënuar me vdekje dhe ishte detyruar që të vriste Hasan Riza Pashën për të vijuar qëndresën”.

Ndikimin në revoltën e Shqipërisë së Mesme nga Haxhi Qamili, historiani e cilëson si lojë që bëri Esat Pasha. “Është pak enigmatike, ai kupton se princ Vidi nuk e kishte të gjatë në Shqipëri. Nuk qëndroi luajal. Esati anonte nga Italia dhe në maj të 1914 ushtarët holandezë godasin shtëpinë e Esatit, dorëzohet dhe largohet në Itali. Nuk është se ka gisht në kryengritjen e 1914-15 të Haxhi Qamilit, por ka bërë lojën e tij. Gjatë luftës së parë Botërore, Esati krijon një qeveri simbolike në Selanik dhe kishte 1300 forca që luftonin në zonën e Maqedonisë dhe Shqipëri. Në përfundim ishte i vetmi personaliet që meritonte të ulej në konferencën e paqes. Haxhi Qamili ishte me bllokun qendror të Austro-Hungarisë, kundërshtarë të Esatit”.

Për historianin, Esat Pasha u vra politikisht në 26 prill të 1915. “Në 26 prill 1915 u vra politikisht, pasi nënshkruhet traktati i fshehtë i Londrës. Esati nuk e dinte këtë gjë. Është i pari politikan shqiptar që takoi një president të SHBA, Wilsonin në konferencën e paqes. Kur takon Wilson kërkoi protektorat amerikan, “ne jemi për të njëjtat ideale, ne e mirëpresim një protektorat amerikan” i tha ai, dhe kërkoi Shqipërinë e 1913, kufijtë aktualë. Franca dhe Britania nuk kishin interes që SHBA të depërtonte në Ballkan. Esati kërkoi edhe reparacionet e luftës nga Austro-Hungaria, pra u hapën shumë probleme”.

Por përse historiografia shqiptare e ka trajtuar si person negativ Esat Pashë Toptanin dhe përse e vrau Avni Rustemi? “Atë e ka vrarë Italia, ka marr pjesë edhe Franca, por e projektoi Italia. A mendon se një gjykatë franceze të liron pas një vrasje, absolutisht jo! Atë me shumë mundësi, ka shumë hipoteza, e ka vrarë një komisar i policisë franceze, ky e mori përsipër, krijoi alibinë. Dikush tjetër e merr përsipër dikush tjetër e vret. Autopsia thotë se Esati u godit nga mbrapa, ndërsa Avniu ka qenë përpara. Gjykata franceze veproi politikisht dhe e liroi. Avni Rustemi ka qenë student në Itali. Italisë i duhej një shqiptar për të vendosur kopertinën që e vranë shqiptarët. Zogu mund ta ketë dashur. Të gjithë përfitonin nga krimi, Italia dhe Franca dhe Britania për mos futjen e SHBA-së në Ballkan, Italia kishte interes territorial. Është edhe cështja e reparacioneve. Italia spastroi skenën politike shqiptare, vrau anti-italianët”.

Por si qëndron e vërteta e varrit të tij? “Ka një Fake News, që Esati u varros te varrezat serbe. Trupi i tij është balsamosur dhe është mbajtur dy vite që ta sillnin në Shqipëri, pas refuzimit, detyrimisht varroset në periferi të Parisit në 1929. Në ’34 e çojnë te trupat e varrezat të aleatëve, ku ka edhe ushtarë serbë, por çfarë faji ka Esati? Është Fake News se është varrosur te varrezat serbe” tha ai. Për të mësuar të vërtetën, historiani e mbyll intervistën me një këshillë për shqiptarët, “duhet të lexojnë më shumë”./ db/Abcnews.al